Përfundimi i ndeshjeve të javës së parë në fazën Final 4, ka sjellë humbjet e Vllaznisë dhe Elbasanit të cilave tashmë u është bashkuar në kuotën e 31 pikëve dhe Egnatia e cila mundi pikërisht verdheblutë.
Sigurisht, ka edhe ndeshje të tjera për t’u luajtur dhe situata mund të ndryshojë. Por në situatën aktuale, me barazimin e pikëve, kreun e renditjes e merr Vllaznia, Kjo, pasi në eventualitetin e pikëve të barabarta mes dy apo më shumë skuadrave, ato që kanë rëndësi janë ndeshjet direkte mes skuadrave dhe jo golavarazhi i përgjithshëm i kampionatit. Dhe fakti që Egnatia iu bashkia dyshes së kreut, ka ndryshuar situatën.
Para këtyre ndeshjeve, Vllaznia dhe Elbasani ndanin vendin e parë me të njëjtën kuotë pikësh, por me verdheblutë të cilët kishin avantazh në ndeshjet direkte ndaj kuqebluve. Por me futjen në valle të Egnatias, situata ndryshon pasi tashmë merren për bazë edhe pikët me ekipin rrogozhinas. Dhe në situatën aktuale, Elbasani ka humbur avantazhin që kishte, duke i “dorëzuar kreun” Vllaznisë.
Në bilancin mes tre skuadrave, ku merren për bazë si ndeshjet e sezonit të rregullt, ashtu edhe të Final Four, Vllaznia ka regjistruar deri tani 14 pikë, Elbasani 12 dhe Egnatia 8. Ky lloj klasifikimi është ai që do të merrej për bazë e që i jep një avantazh potencial shkodranëve ndaj Elbasanit nëse e mbyll me pikë të barabarta me ta dhe me rrogozhinasit, pa humbur ndeshjen direkte me verdheblutë.
