SPAK ka dyshime se Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoresha e AKSHI, e cila akuzohet si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Agasi dhe Beqiri në shtëpi zotëron pasuri të fshehura që rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Për Karçanajn, kryeministri ka deklaruar se jeton me qira, ndërsa SPAK pretendon se ka zbuluar 1 vilë në Qerret dhe dy apartamente të cilat janë pasuri që zotërohen në mënyrë të tërthortë nga ish-zyrtarja e lartë, e cila aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Gjithashtu burimet thonë se është zbuluar dhe apartament që dyshohet të jetë pasuri e fshehur nga Hava Delibashi, ish-zv.drejtoresha e AKSHI e cila po hetohet në gjendje të lirë, për shkak të shtatzënisë.
Vila dhe apartamentet i janë nënshtruar kontrolleve, ndërsa janë duke u marrë në pyetje personat e implikuar, përderisa bëhet fjalë për një skemë të sofistikuar pastrimi parash dhe mekanizëm për fshehje pasurie.
Të hënën, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit zbarkuan në një nga komplekset rezidenciale luksoze në jug të vendit dhe ushtruan kontroll në dy vila në pronësi të Ergys Agasit dhe një vilë në pronësi të Ermal Beqirit, dy biznesmenët e shumëkërkuar të drejtësisë, të cilët dyshohen se drejtonin një grup kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Burimet thanë se gjatë kontrolleve, të miratuara me vendim të Gjykatës së Posaçme janë marrë materiale dhe pajisje kompjuterike, të cilat do të verifikohen nga hetuesit financiarë dhe do të analizohen në raport me provat e tjera.
Prokuroria e Posaçme deklaroi në fund të 2025 se kishte goditur një grup kriminal që vepronte brenda AKSHI-t dhe se Ergys Agasi e Beqiri urdhëronin rrëmbimin e rivalëve dhe nën kërcënim i detyronin të tërhiqeshin nga tenderat e AKSHIT. Kompanitë e dy të kërkuarve kanë fituar miliona euro tendera pranë kësaj agjencie.
MASAT
Prokurorinë e Posaçme lëshoi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, për ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Karçanaj. Mbi të ka dyshime për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.
SPAK po heton 12 procedura tenderuese që dyshohet se janë paracaktuar, me vlera të larta që lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme shtetërore. Hetimet kanë zbuluar se kriteret e tenderave dyshohet të jenë diktuar nga kompanitë pjesëmarrëse, duke krijuar terren për fitime të garantuara me miliona euro.
Në hetim është edhe biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”. Ndaj tij SPAK ka caktuar masën ‘arrest me burg’. Sipas SPAK, dyshohet se Beqiri ka përfituar shuma të konsiderueshme nga procedurat e kontestuara. Masa e arrestit në burg është dhënë nga SPAK dhe GJKKO edhe për biznesmenin tjetër, Ergys Agasi i cili gjithashtu ndodhet në arrati.
