Një grua u sulmua nga një ujk në qendër të Hamburgut, thanë autoritetet gjermane. Incidenti ndodhi të hënën pasdite pranë një dyqani IKEA në rrugën e frekuentuar tregtare , Grosse Bergstrasse.

BBC raporton se gruaja me sa duket u përpoq ta largonte kafshën e çorientuar nga rruga . Ujku më pas e kafshoi në fytyrë dhe iku me vrap.

Gruaja u dërgua në spital, por që atëherë është liruar.

Ujku u pa vonë të hënën në mbrëmje në liqenin Binnenalster të Hamburgut. Policia arriti ta nxirrte nga uji me një litar, por kafsha rezistoi dhe oficerët e armatosur me mburoja thuhet se kaluan rreth një orë duke u përpjekur ta kapnin.

Kafsha tani është në një vend të sigurt dhe po merr kujdes veterinar.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mjedisit, Klimës, Energjisë dhe Bujqësisë të Hamburgut i tha BBC-së se shumë njerëz e kishin parë ujkun ditët e fundit në perëndim të qytetit.

Besohet të jetë hera e parë që një person është sulmuar nga një ujk që kur kafshët u rikthyen në vitet 1990. Ujqërit tani enden nëpër pyjet e disa shteteve gjermane.

Javën e kaluar, Dhoma e Lartë Gjermane miratoi gjuetinë e ujqërve nga 1 korriku deri më 31 tetor, për të mbajtur numrin e tyre në nivele normale dhe për të mbrojtur bagëtinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb