Siguria se Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshihet në konfliktin midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit u dha përsëri nga Kryeministri Keir Starmer në një fjalim në Londër, duke u përpjekur të qetësonte shqetësimet publike.
“Qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar janë të shqetësuar se vendi do të përfshihet në luftën SHBA-Izrael me Iranin. Kjo nuk do të ndodhë “, tha ai, duke shtuar: “Nuk jam i përgatitur t’i kërkoj popullit britanik, edhe një herë, të kalojë nëpër një krizë, të dalë prej saj dhe të thotë se gjithçka vazhdon si zakonisht”.
Kryeministri britanik theksoi se qeveria kërkon stabilitet dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë, duke nënvizuar se vendi është i gatshëm të ofrojë “udhëheqje të qartë dhe të qetë” në një kohë tensioni të shtuar gjeopolitik.
Sipas tij, Mbretëria e Bashkuar ka kontribuar në formimin e një grupi prej 35 vendesh që synojnë forcimin e sigurisë së lundrimit në Gjirin Persik , një zonë me rëndësi të veçantë për tregun ndërkombëtar të energjisë dhe tregtinë globale.
“Objektivi i Mbretërisë së Bashkuar në Ngushticën e Hormuzit është të rivendosë lirinë e lundrimit, të garantojë sigurinë e anijeve dhe të detarëve dhe të rivendosë lëvizjen e mallrave jetësore”, tha ai.
Kjo iniciativë përqendrohet në mbrojtjen e anijeve tregtare dhe transportin e energjisë, pasi zhvillimet në rajon kanë rritur rreziqet për lundrimin ndërkombëtar dhe stabilitetin e tregjeve.
Starmer theksoi se bashkëpunimi me aleatët synon të ulë tensionet dhe të ruajë lirinë e lëvizjes së anijeve në korridoret strategjike detare.
“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka përcaktuar një plan me pesë pika për të adresuar ndikimin e luftës dhe rritjes së çmimeve tek konsumatorët e Mbretërisë së Bashkuar, i cili përfshin uljen e faturave të energjisë, zgjatjen e uljeve të taksave të karburantit, investimin në energji të pastër dhe promovimin e de-përshkallëzimit në Lindjen e Mesme”, tha gjithashtu Kryeministri Britanik.
Kur u pyet për deklaratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se po e shqyrtonte seriozisht mundësinë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga NATO, Starmer tha se do të vepronte në interes të vendit, pavarësisht nga ” zhurma “.
“Pavarësisht presionit që ushtrohet mbi mua dhe të tjerët, pavarësisht nga zhurma, unë do të veproj në interesin kombëtar të Britanisë në vendimet që marr”, u tha Starmer gazetarëve.
