14 vite pa fituar përballë Real Madrid, 7 humbje dhe 2 barazime në 9 ndeshjet e fundit, por Bayern e bën diçka të tillë brenda në mitikun “Bernabeu”. Në moshën 40-vjeçare, Manuel Neuer zhvilloi një 90-minutësh monumental, me kapitenin që vërtetoi edhe një herë pse është një nga portierët më të mirë në historinë e futbollit botëror. Neuer u shndërruar në një makth të vërtetë për dyshen Mbappe-Vinicius jr, për këtë arsye në fund të ndeshjes u vlerësua nga UEFA si lojtari më i mirë. Bayern hedh një hap të rëndë pas këtij triumfi në Madrid, në 31 raste kur ka fituar ndeshjen e parë në transfertë, në 30 prej tyre ka arritur të kualifikohet. Në shifra, kjo ishte një sfidë mes të barabartësh në një kohë kur dy ekipet krijuan 20 raste, goditën 9 herë kuadratin.

Bayern e nisi sfidën “zjarr” ku që në minutën e 8-të krijuan rastin e parë të rrezikshëm me Upamecanon që shpërdoroi shumë pranë vijës fatale. Në të 18-ën ishte Vinicius që lëshoi sinjalin e parë në portën e Neuer, me kapitin që reagoi saktë duke devijuar në goditje këndi. Nga stoli trajneri Kompany nuk i besonte syve teksa shihte Gnabry-n duke shpërdoruar një tjetër rast të pastër, me sulmuesin gjerman që nuk përfitoi nga një gafë e mbrojtjes së Realit. Në aksionin pasues ishte Mbappe, me yllin francez që brenda në zonë lëshoi një goditje të fortë, por Neuer pozicional në shtyllën e parë mbajti portën të paprekur. Më në fund, pas disa përpjekjeve, në topin e parë që i erdhi në këmbë, i shërbyer nga Gnabry, Luis Diaz me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë duke bërë që stoli i Bayern të shpërthente në festë.

Me fillimin e pjesës së sytë, në aksionin e parë, Harry Kane mori një top nga Olise, me “bomberin” anglez që me një goditje perfekte dyfishoi shifrat. Të shtyre dhe nga publiku, Real Madrid u përpoq të rikthehej në lojë, por Vinicius në minutën e 61-të u hipnotizua nga Neuer pa mundur të dërgojë topin në rrjetë. Katër minuta më vonë ishte radha e Mbappe për të vënë në provë kapitenin e Bayern, me këtë të fundit që ndali sërish yllin francez. Më në fund, pas disa përpjekjeve, Kylian Mbappe arriti të dërgojë topin mjaftueshëm pak mbi vijën fatale duke realizuar një gol që mban të gjallë shpresën e Real Madrid në sfidën e kthimit.

Spektakli nuk kishte fund deri në vërshëllimën finale, me Bayern që feston me të drejtë për këtë sukses të madh, por është vetëm hapi i parë, të vetëdijshëm se në Champions Real Madrid nuk “vdes” kurrë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb