Dinamo barazoi 1-1 me Vllazninë në Kupë, me një gol në fund të Dejvi Bregut nga pika e bardhë e penalltisë. Përtej golit, ra në sy një veprim i lojtarit dinamovit, Bregu. Sipas shumë njerëzve të opinionit sportive, reagimi i futbollistit ishte skandaloz, pasi shihet tentativë për ta pështyrë dhe fyer portierin shkodran. Për këtë rast, ka reaguar së fundmi vetë klubi i Dinamos, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Reagimi i Dinamos:
Klubi Dinamo kërkon të sqarojë opinionin publik në lidhje me një episod të ndeshjes së fundit me Vllazninë, që në media është interpretuar në mënyrë të gabuar. Lojtari ynë, Dejvi Bregu, pasi shënon golin e barazimit, shfryn nervat nga frustrimi për faktin që ky gol erdhi në fund dhe që më parë kishte humbur një penallti, por pa fyer dhe pështyrë askënd, sikurse shkruhet dhe pretendohet në media.
Ndoshta është një keqkuptim dhe klubi ynë tërheq vëmendjen e shtypit për më shumë kujdes, që të mos prodhojë lajme të pavërteta.
Dejvi Bregu është një nga futbollistët më korrektë në fushë dhe jashtë saj.
Klubi Dinamo dhe futbollistët respektojnë dhe vlerësojnë çdo kundërshtar, duke nisur nga Vllaznia dhe të gjithë ata që marrin pjesë në garë.
Loja e futbollit është burrërore dhe klubi ynë pranon gjithmonë verdiktin e fushës me “fair play”.
