Ish-deputeti i PD, Myslim Murrizi, deklaroi në emisionin “Kjo Javë” në News24 se mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për çështjen e masave të paraburgimit ka prapavijë politike dhe nuk lidhet me nevoja reale të sistemit të drejtësisë.
Sipas Murrizit, ky institucion duhet të flasë përmes vendimeve konkrete dhe jo përmes diskutimeve që, sipas tij, nuk janë shoqëruar ndër vite me ndryshime reale në praktikë.
“Në kaq vite Gjykata e Lartë duhet të kishte dhënë shembuj konkretë duke prishur vendime të padrejta. Nuk kemi parë raste të tilla, as për çështje të njohura si Lazarati apo për qytetarë të zakonshëm që kanë qëndruar në burg për çështje disproporcionale,” u shpreh ai.
Ish-deputeti ngriti dyshime se momenti i këtij debati lidhet me përfundimin e afateve të paraburgimit për disa zyrtarë të lartë, duke e cilësuar këtë si arsye kryesore të ndërhyrjes aktuale.
“Ka një prapavijë politike. Janë përmbushur afatet e paraburgimit për disa zyrtarë të lartë socialistë. Para pak ditësh, në rastin e Bankers Petroleum, dy drejtues u liruan pasi u mbyll afati 9-mujor. Pse nuk ndodh e njëjta gjë për raste të tjera?”, tha Murrizi.
Ai përmendi emra të njohur të politikës dhe drejtësisë, duke vënë në pikëpyetje standardet e zbatimit të masave të sigurisë dhe barazinë përpara ligjit.
Në përfundim, Murrizi e cilësoi nismën si propagandë dhe theksoi se çdo përpjekje për unifikim të praktikës do të kishte kuptim vetëm nëse më parë Gjykata e Lartë do të kishte krijuar një traditë vendimmarrjeje të qartë.
“E shoh më shumë si politikë dhe propagandë. Ligji është i qartë: masa më e rëndë është arresti me burg dhe kjo është përcaktuar nga ligjvënësi,” përfundoi ai.
