Një zhvillim i ri ka dalë në dritë lidhur me vrasjen tronditëse të 23-vjeçares ukrainase Irina Zarutska, e cila u vra brutalisht në një tren në Charlotte në gusht të vitit 2025.

Autori i dyshuar, DeCarlos Brown Jr., 35 vjeç, është shpallur mendërisht i paaftë për t’u gjykuar, çka ka çuar në pezullimin e çështjes deri në një njoftim të dytë.

Sipas një raporti psikiatrik të përfshirë në dosje, ai nuk është në gjendje të kuptojë procedurat ligjore apo të marrë pjesë në mënyrë aktive në gjyq. Si pasojë, procesi gjyqësor nuk mund të vijojë derisa një gjyqtar të vendosë se gjendja e tij mendore është përmirësuar.

Ngjarja, e cila tronditi opinionin publik në Shtetet e Bashkuara, u kap nga kamerat e sigurisë të Charlotte Area Transit System. Pamjet tregojnë momentin kur autori ulet pas viktimës, nxjerr një thikë dhe e godet disa herë, përpara se të largohet duke e lënë të pajetë në vagon.

35-vjeçari përballet me akuza për vrasje të shkallës së parë, si dhe me akuza federale për krim në transportin publik, për të cilat prokurorët kanë kërkuar edhe dënimin me vdekje në rast shpalljeje fajtor.

Megjithatë, pavarësisht përfundimeve të para të vlerësimit psikiatrik, çështja nuk konsiderohet e mbyllur. Faza e radhës përfshin një proces rehabilitimi, ku do të vlerësohet nëse ai mund të trajtohet dhe të bëhet i aftë për t’u përballur me drejtësinë në të ardhmen.

Sipas dokumenteve të çështjes, Brown vuan prej vitesh nga probleme serioze të shëndetit mendor, përfshirë Skizofreninë. Ai kishte kontaktuar shpesh autoritetet dhe spitalet, duke pretenduar se kontrollohej nga forca të jashtme, por nuk kishte marrë trajtim të vazhdueshëm.

Familjarët e tij kishin shprehur shqetësime për rrezikshmërinë e tij, ndërsa ai kishte mbetur i pastrehë pasi nuk mund të jetonte më me ta. Pavarësisht historikut të tij, ai nuk ishte konsideruar ligjërisht i rrezikshëm për shtrim të detyruar në spital.

Brown ka një të kaluar kriminale që daton që nga viti 2007, ndërsa në vitin 2014 ishte dënuar për grabitje të armatosur dhe posedim arme, duke vuajtur mbi pesë vite burg. Arrestimi i fundit para ngjarjes kishte ndodhur në janar 2025 për keqpërdorim të linjës së emergjencës.

Ndërkohë, ai vijon të mbahet në paraburgim federal, ndërsa procesi gjyqësor në nivel shtetëror mbetet i pezulluar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb