Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar Shqiptar (FEMSH) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar garantimin e plotë të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet publike. Në një deklaratë, FEMSH thekson se kjo e drejtë është thelbësore për funksionimin demokratik të shtetit dhe për sigurimin e barazisë mes qytetarëve.
Sipas forumit, përdorimi i gjuhës shqipe nuk është thjesht një çështje formale, por një element kyç për akses të barabartë në arsim, drejtësi dhe shërbime publike për komunitetin shqiptar.
FEMSH nënvizon se “çdo kufizim apo moszbatim i kësaj të drejte cenon standardet demokratike dhe ndikon negativisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve”.
Deklarata
“Mbi garantimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet publike në Maqedoninë e Veriut”
Tiranë, me 10 Prill 2026
Forumi Ekonomik Mbarëkombëtar Shqiptar (FEMSH), si një platformë që promovon zhvillimin ekonomik, kohezionin shoqëror dhe forcimin e institucioneve në hapësirën mbarëshqiptare, vlerëson se stabiliteti dhe zhvillimi i qëndrueshëm ndërtohen mbi funksionimin e drejtë dhe të barabartë të institucioneve publike.
Në këtë kuadër, FEMSH ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike në Maqedoninë e Veriut, si dhe shqetësimet e ngritura në raport me aksesin e barabartë në arsim, drejtësi dhe shërbime publike për shqiptarët. FEMSH thekson se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe buron drejtpërdrejt nga rendi kushtetues i shtetit dhe përbën një element themelor të parimeve të barazisë, mosdiskriminimit dhe funksionimit demokratik të institucioneve.
Çdo kufizim apo moszbatim i kësaj të drejte cënon standardet e një shoqërie demokratike dhe ndikon negativisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe në stabilitetin institucional. Përdorimi efektiv i gjuhës shqipe në administratë, arsim dhe drejtësi nuk është një çështje formale, por një kusht thelbësor për ofrimin e shërbimeve cilësore, përfshirjen e barabartë dhe funksionimin normal të shtetit.
FEMSH vlerëson se:
• zbatimi i plotë dhe konsekuent i kuadrit ligjor është parakusht për funksionimin e institucioneve.
• standardet evropiane kërkojnë jo vetëm njohje formale të të drejtave, por zbatim real të tyre.
• dialogu institucional dhe profesional është rruga më efektive për adresimin e çështjeve me ndjeshmëri shoqërore.
FEMSH thekson se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe institucional kërkon jo vetëm kuadër ligjor, por mbi të gjitha zbatim real dhe standarde të barabarta për të gjithë.
Garantimi i përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet publike në Maqedoninë e Veriut përfaqëson një element thelbësor të këtij standardi, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e besimit, të kohezionit shoqëror dhe të funksionimit të një shteti modern, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt së ardhmes.
FEMSH mbetet i përkushtuar të mbështesë këtë vizion në mënyrë të qëndrueshme dhe institucionale në gjithë hapësirën mbarëshqiptare.
