Zgjedhjet parlamentare në Hungari janë shoqëruar me deklarata të forta nga liderët politikë, duke e kthyer procesin në një përballje të hapur për drejtimin e vendit.

Kryeministri Viktor Orbán, pasi hodhi votën e tij në një qendër votimi në Budapest, u shpreh i sigurt në rezultat, duke deklaruar se është “këtu për të fituar”. Mesazhi i tij synon të mobilizojë mbështetësit në një garë që shihet si një nga më të rëndësishmet e viteve të fundit.

Nga ana tjetër, lideri i opozitës dhe drejtuesi i partisë Tisza, Péter Magyar, e cilësoi këtë proces si historik për vendin. Ai deklaroi se hungarezët po zgjedhin “mes Lindjes dhe Perëndimit”, duke parashikuar një fitore për opozitën.

Magyar theksoi se çdo votë ka rëndësi, duke paralajmëruar edhe për mundësinë e një pjesëmarrjeje rekord në këto zgjedhje. Ai u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo parregullsi gjatë procesit të votimit, duke e konsideruar mashtrimin zgjedhor si një shkelje të rëndë.

Përballja mes Orban dhe opozitës po shihet si një moment kyç për të ardhmen politike të Hungarisë, me rezultate që mund të përcaktojnë orientimin strategjik të vendit në vitet në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb