Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për korrupsionin, duke theksuar se realiteti ekonomik dhe institucional në vend dëshmon të kundërtën e propagandës qeveritare.

Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku argumenton se korrupsioni në Shqipëri nuk është më një fenomen i izoluar, por një sistem i konsoliduar që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në varfërimin e tyre.

Sipas saj, për më shumë se një dekadë është ndërtuar një mekanizëm ku vendimmarrja publike dhe fondet shtetërore orientohen drejt një pakice të lidhur me pushtetin, duke deformuar konkurrencën dhe duke dëmtuar ekonominë.

“Sot korrupsioni nuk është më fenomen sporadik, por është sistem. Një sistem që kontrollon tenderat publikë dhe i orienton ato drejt një grupi të ngushtë interesash”, shprehet Tabaku.

Deputetja i referohet edhe të dhënave ndërkombëtare, duke theksuar se Shqipëria ka shënuar rënie në indeksin e perceptimit të korrupsionit, ndërsa mbetet ndjeshëm poshtë mesatares së Bashkimit Europian. Po ashtu, ajo nënvizon se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve pranojnë se kanë paguar ryshfet për të marrë shërbime publike.

Në analizën e saj, Tabaku ndalet edhe te funksionimi i institucioneve, duke argumentuar se niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve ndërkombëtare dhe përqendrimi i tenderave në pak kompani tregojnë mungesë reale vullneti për të luftuar korrupsionin.

Ajo kritikon gjithashtu rolin e Kuvendit, duke e cilësuar si një institucion që në disa raste ka miratuar ligje që favorizojnë interesa të ngushta, në vend që të garantojë konkurrencë dhe transparencë.

Duke iu referuar raporteve të Bashkimit Europian dhe organizatave ndërkombëtare, Tabaku thekson se prokurimet publike dhe PPP-të mbeten ndër burimet kryesore të riskut për korrupsionin në vend, ndërsa reformat në administratë dhe financa publike konsiderohen të pamjaftueshme.

Në këtë kontekst, ajo vlerëson rolin e institucioneve të drejtësisë, duke nënvizuar se hetimet ndaj kontratave publike janë një hap i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm për të adresuar problemin në themel.

“Ndërkohë që institucionet e drejtësisë merren me pasojat, qeveria vazhdon të prodhojë shkakun”, thekson Tabaku.

Në përfundim, deputetja e PD-së nënvizon se korrupsioni nuk është më çështje perceptimi, por një problem strukturor që kërkon ndryshim të thellë të mënyrës së funksionimit të shtetit dhe të politikave publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb