Presidenti amerikan Donald Trump u pyet lidhur me deklaratat e tij ndaj Papa Leoni XIV, të cilin e ka kritikuar ashpër. Trump i qëndroi fjalëve të tij duke thënë se nuk e sheh aspak të arsyeshme të kërkojë falje.
Ndërkohë, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, duke i cilësuar si “të papranueshme” komentet e tij ndaj Papa Leo XIV.
“I konsideroj fjalët e Presidentit Trump drejtuar Atit të Shenjtë të papranueshme,” u shpreh Meloni, e cila konsiderohet gjerësisht si një nga aleatet kryesore të Trump në Evropë. Ajo theksoi se Papa, si kreu i Kishës Katolike, ka të drejtë të bëjë thirrje për paqe dhe të dënojë çdo formë lufte.
Përplasja për luftën në Iran
Deklaratat e Melonit erdhën pasi Trump kritikoi publikisht qëndrimin e Pope Leo XIV mbi luftën në Iran. Të dielën në mbrëmje, ai e cilësoi Papën si “të tmerrshëm për politikën e jashtme”.
“Nuk na pëlqen një Papë që mendon se është në rregull të kesh një armë bërthamore,” u tha Trump gazetarëve, duke shtuar: “Unë nuk jam një fans i Papa Leos.”
Komentet e tij kanë shkaktuar reagime të forta, duke nxjerrë në pah tensionet mes politikës dhe autoritetit moral të Kishës.
Reagimi i Vatikanit
Nga ana tjetër, Papa Leo XIV, i cili ka qenë gjithnjë e më i zëshëm për konfliktin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, i hodhi poshtë kritikat.
Ai deklaroi se “nuk ka frikë nga administrata Trump apo nga të folurit hapur për mesazhin e Ungjillit”, duke riafirmuar qëndrimin e tij në mbrojtje të paqes dhe kundër përshkallëzimit të luftës.
