Qytetari nga Laçi, Gjergj Kuka, ka denoncuar në emisionin investigativ “TakFak” në News24 një rast të përsëritur dhune fizike dhe konflikti me fqinjin e tij.
Sipas Kukës, përveç dhunës së ushtruar, fqinji në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, e cila është mësuese, ka ndërhyrë edhe në pronën e tij duke vendosur një tub të ujërave të zeza që kalon përmes tokës së tij dhe përfundon në një kanal.
Gazetarët e “TakFak” ndoqën çështjen pranë Komisariatit të Policisë Kurbin, ku u konfirmua se denoncimi i qytetarit është depozituar dhe po trajtohet nga autoritetet.
Në vendngjarje mbërriti edhe përfaqësuesi i ujësjellësit, inxhinieri Vladimir Tota, i cili deklaroi se për disa zona ende nuk ka një projekt të mirëfilltë, por shërbimet ndaj banorëve ofrohen pa pagesë sipas kërkesave.
Gjatë verifikimeve në terren mbërriti edhe policia, ndërsa përfaqësues të saj pohuan se rasti do të ndiqet sipas procedurave ligjore. Më pas, qytetari u paraqit në komisariat, ku u prit nga oficeri i Policisë Gjyqësore (OPGJ) dhe depozitoi një tjetër kërkesë zyrtare lidhur me dhunën e pretenduar.
Pas daljes nga komisariati, Kuka u shpreh se kjo është një ndër shumë kërkesat që ka bërë ndër vite, por këtë herë shpreson që rasti i tij të marrë zgjidhje.
