Emisioni investigativ Vetting, News24
E vërteta dhemb…
Teksa institucionet përpiqen të krijojnë “broshura” të një realiteti më të mirë shqiptar, në të vërtetë perdja e iluzionit bie, në momentin që përballesh me konsumatorin dhe fermerin. Një nga rastet është edhe një treg ushqimor në fund të zonës së ish-“Stacionit të Trenit”, ku disa herë gjatë javës, vinë individë nga jashtë Tiranës, si Fushë-Kruja, Kruja, për të shitur diçka nga prodhimtaria bujqësore apo blegtorale e tyre. Ata zgjedhin një vend të caktuar dhe qëndrojnë që nga ora 3-4 e mëngjesit e deri në orën 13:00, në mes të baltës e të pluhurit, me shpresën se me mundin e tyre, do të marrin një shumë parash për të mbijetuar edhe pak kohë.
“Kushtet faktikisht shihet që nuk janë të përshtatshme. Nuk janë të përshtatshme, edhe ne jemi të vetëdijshëm që nuk janë të përshtatshme. Mundohemi t’ia çojmë sa më të pastër, sa më të mirë mallin tjetrit, por kushti është kusht. Jemi të detyruar të shesim në këto kushte. Bashkia të vijë të marri masa, të na sistemojë, jo të na vijnë policë duke na përdhunuar me një fjalë”, thotë për “Vetting tregtari Qazim Gjoni.

Në të vërtetë, ky grup tregtarësh, para disa kohësh qëndronin në fillim të “Stacionit të Trenit”, në kushte të cilat ata i cilësojnë të mira për shitje dhe mbarëvajtje biznesi. Megjithatë, qëkur pronari i tokës vendosi ta shiste për ndërtim pallatesh, ky grup mbeti në mes të katër rrugëve, duke u munduar të gjente një zgjidhje për të mbijetuar.
“Vetting” u gjend në terren, për të parë më tepër rreth gjendjes së caktuar të këtij tregu. Ajo çfarë gjeti ishte një “shtrim” rruge me batanije ose me rroba, në mënyrë që kur të binte shiu të mblidhte baltën, apo kur të ishte verë të mundohej të mos ngrinte pluhurin, por më kot.
“Mendimin tim, bashkia t’iu bëjë një treg të ri këtyre, të paguajnë lekët aty, siç paguajnë të gjithë, t’i sistemojnë mirë e të mos punojnë këtu në baltë, se ky është vatër infeksionesh. Ja, ai shet peshk aty. Peshku, ja shihe ku është peshku aty, mbeturinat aty. Të gjitha gjërat…”, shprehet qytetari Fatmir Skifteri.

Ndërkohë tregtarë të tjerë shprehen se edhe pse mund të jenë ankuar e nuk kanë gjetur zgjidhje nga autoritetet e bashkisë, këta të fundit paraqiten herë pas here dhe mundohen të marrin përfitimet e tyre nëpërmjet kontrolleve.
Ekspertët theksojnë nevojën për ndërhyrje të synuara, monitorim të vazhdueshëm dhe rregullim më të fortë, për të ulur rrezikun për shëndetin publik dhe për të shmangur pasoja ekonomike në tregun vendas dhe atë të eksportit.
Njohja dhe monitorimi i këtyre toksinave, kontrolli i magazinimit dhe zbatimi i praktikave të mira bujqësore janë thelbësore për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve.
“Ne kemi në dorë të bëjmë kontrollet periodike, të jemi më të vëmendshëm ndaj shenjave që trupi na jep, mos të neglizhojmë konsultat mjekësore dhe t’I nënshtrohemi testeve periodike, të cilat na ndihmojnë në parandalimin e kancerit. Përsa u përket institucioneve përkatëse, atë që do duhej të ishte në një institucion ideal, do të duhej të ishte ndërveprimi dhe bashkëveprimi institucional…”, thotë Klejdia Mati, mjeke onkologe.
Mykotoksinat nuk janë thjesht një problem shkencor. Ato janë një pasqyrë e dështimit institucional. Kur laboratorët nuk janë të akredituar, kur kontrollet janë selektive, kur fondet publike shpërdorohen, rreziku nuk mbetet në letra, ai përfundon në pjatën e qytetarëve.
Fermerët mbijetojnë në kushte primitive. Konsumatorët blejnë pa siguri. Institucionet reagojnë vetëm kur skandali shpërthen. Siguria ushqimore nuk është luks. Është e drejtë themelore. Dhe çdo ditë që ajo neglizhohet, çmimi paguhet me shëndet… dhe me jetë.
