Sherif Kallaku po konfirmohet si një nga elementët më të rëndësishëm të Vllaznisë në këtë sezon, duke përmbushur plotësisht pritshmëritë që e shoqëruan në momentin e afrimit. Fantazisti 28-vjeçar ka marrë gradualisht rolin që i takon një numri “10”, duke u kthyer në një pikë referimi për lojën e skuadrës shkodrane. Me paraqitjet e tij të qëndrueshme, Kallaku është shndërruar në një lider brenda dhe jashtë fushës.
Ai ka marrë përgjegjësi në ndërtimin e aksioneve, ka dhënë ritmin e lojës dhe ka qenë vendimtar në momente kyçe të ndeshjeve. Kontributi i tij nuk matet vetëm me gola apo asistime, por edhe me ndikimin që ka në organizimin e skuadrës. Mungesa e tij në disa takime gjatë sezonit është ndjerë dukshëm, pasi loja e Vllaznisë ka humbur qartësi dhe efikasitet në fazën sulmuese.
Kjo ka treguar qartë peshën që ka futbollisti nga Fushë-Kruja në formacionin titullar dhe rëndësinë e tij në ekuilibrat e ekipit. Në një moment kur kampionati po hyn në fazën më vendimtare, prania e lojtarëve me cilësi si Kallaku bëhet edhe më e rëndësishme. Përvoja dhe aftësia e tij për të menaxhuar ritmin e lojës janë elementë që mund të bëjnë diferencën në objektivat e Vllaznisë. Me nivelin që ka shfaqur deri tani, 28- vjeçari mbetet një nga garancitë kryesore për skuadrën e drejtuar nga Martini, në përpjekjen për të arritur rezultatet e synuara deri në fund të sezonit.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "
Balkanweb" mjafton të klikoni:
Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb