Zgjedhjet rajonale që do të mbahen në landet lindore në Saksoni-Anhalt, në Meklenburg-Pomerani Perëndimore dhe në Berlin, pritet të rishkruajnë hartën politike të Gjermanisë.
Analisti, Auron Dodi, në një lidhje me studion e News24, ka analizuar sondazhet kombëtare më të fundit të cilat tregojnë rekord shifrash të rritjes së partisë ultra të djathtë AfD me 39% mbështetje, duke e kaluar qartë CDU-në.
Sipas tij, shkak është pakënaqësia me performancën e qeverisë qendrore në Berlin. AfD po harton madje programe qeveritare fillestare për këto lande.
Intervista e plotë
Auron, përshëndetje.
Fillimisht, sa e fortë është AfD në Gjermani sipas sondazheve të fundit?
Dodi: Për herë të parë, sipas një sondazhi të organizatës YouGov, AfD-ja ultra e djathtë kryeson në rang kombëtar, me 27% – në krah të CDU/CSU të qendrës së djathtë të kancelarit Merz, me 26-28%. Pra ka shtuar një pikë nga muaji i kaluar. Socialdemokratët (SPD) arrijnë në rang kombëtar te 13%, Të Gjelbrit 14%, partia E Majta arrin 10%.
Por në shtator do të ketë zgjedhje rajonale në landet lindore, në Saksoni-Anhalt, në Meklenburg-Pomerani Perëndimore dhe në Berlin. Dhe vëzhguesit nuk përjashtojnë që në dy landet e para të rishkruhet harta politike e Gjermanisë.
39% mbështetje arrin AfD-ja në landin Saksoni-Anhalt. Deri tani e kalon atje qartë CDU-në, që arrin 25%.
Midis 34% dhe 37% arrin AfD-ja në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore. Atje kalon qartë SPD, që arrin 26%.
Në Berlin kryeson CDU-ja me 21%, e ndjekur nga SPD-ja dhe AfD-ja me 17%. Në Berlin pritet ta drejtojë landin një koalicion trepartiak.
Si shpjegohet mbështetja kaq e fortë për AfD-në në Saksoni-Anhalt?
Retorika radikale që përdor kjo parti përkon me pakënaqësinë në rritje, te një pjesë e njerëzve. Në Gjermaninë lindore ekzistojnë ende dallime socio-ekonomike me Perëndimin, që nga ribashkimi. Edhe pakënaqësia me performancën e qeverisë qendrore në Berlin, luan rol.
Në Saksoni-Anhalt, land me 2.12 milionë banorë, AfD-ja miratoi në fundjavë një program në rast qeverisjeje.
Kandidati i AfD-së, Ulrich Siegmund tha se synon të arrijë ’45 përqind plus X’, për të qeverisur vetëm. Qeverisja vetëm është në fakt e vetmja rrugë që AfD të vijë në pushtet, deri tani askush, askund nuk pranon koalicion me të. Nëse Të Gjelbrit, FDP-ja dhe BSW-ja nuk arrijnë të hyjnë në parlammentin e landit (të kalojnë pragun prej 5%), AfD-ja mund arrijë ta formojë qeverinë e vetme edhe po mori më pak se 50%.
Në kongresin në Magdeburg AfD-ja kërkoi miratimin e një “bonusi mirëseardhjeje për të posalindurit”, por vetëm për familjet, ku të paktën një prind ka shtetësi gjermane dhe nëse familja ka bërë kontrolle mjekësore përpara. Kjo masë do të diskriminonte familjet jo gjermane. Inkuadrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla normale, AfD-ja e shpalli “eksperiment” që duhet të ndërpritet.
Më tej, po erdhi në pushtet, AfD-ja do të heqë dorë nga punëtorët e kualifikuar, të lindur jashtë Gjermanisë. Do të ngrejë madje një “task-force për riatdhesimet”. Do të hartojë edhe një “program kthimi për punëtorët gjermanë të kualifikuar, që kanë emigruar”. AfD-ja në Saksoni-Anhalt tha se dëshiron të eleminojë të drejtën themelore për të marrë azil.
AfD-ja theksoi edhe në Saksoni-Anhalt identitetin lindor, si përfaqësuese e Gjermanisë Lindore, përballë një ‘sistemi të dominuar nga Perëndimi’. Delegatët brohoritën sipas dëshmitarëve: “Lindje, Lindje, Gjermani Lindore”.
Në nëntor 2023, Shërbimi inteligjent i brendshëm gjerman (Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës) e klasifikoi degën e AfD-së në Saksoni-Anhalt si parti të ekstremit të djathtë, të vërtetuar. Për këtë u analizuan shumë deklarata raciste, anti-myslimane e anti-semite të përfaqësuesve të kësaj partie.
Po në landin tjetër lindor Mecklenburg-Pomerani Perëndimore, çfarë planifikon AfD-ja?
Në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore (me 1,57 milionë banorë), AfD-ja paraqiti një program, për ta zbatuar që 100 ditët e para.
AfD-ja do të eleminonte në këtë land Ministrinë e Shkencës, të Kulturës, Çështjeve Federale dhe Evropiane. Çështjet evropiane do t’i inkuadronte në Ministrinë e Brendshme.
Shtypi, në tërësi, vështrohet si kundërshtar nga AfD-ja, edhe në Saksoni-Anhalt foli për „shërbëtorë propogandistikë” e „mercenarë të majtë”.
AfD-ja gjithashtu dëshiron të anulojë Marrëveshjen e Transmetimit Shtetëror të mediave publike, për të ndërmarrë reforma të thella. Kjo pasi për AfD-në transmetimi publik është shumë i shtrenjtë dhe raportimi nuk është politikisht i balancuar.
AfD-ja kërkoi në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore edhe forcimin e gjuhës ruse, apo jo?
Po, në këtë land, AfD angazhohet për një politikë arsimore me vëmendje nga Lindja. Përfaqësuesi i AfD-së atje, Enrico Schult i bëri thirrje Ministrit të Arsimit të mbështesë aktivisht rusishten, me më shumë orë mësimi. Përfaqësuesi i AfD-së kujtoi se Rusia ka qenë me vite partnere e rëndësishme tregtare e Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore. Pas përfundimit të luftës në Ukrainë njohuritë e rusishtes, tha ai, do të nevojiten për marrëdhëniet ekonomike. Në fakt, rusishtja është sot gjuhë e dytë ose e tretë në këtë land – e para është anglishtja. Por në kohën e RDGJ, rusishtja në këtë rajon ishte gjuhë e parë. Gjuha ruse jepet sot në 100 nga 319 shkollat e mesme të landit.
Çfarë ndikimi kanë degët lindore të AfD-së te AfD-ja në tërësi?
Lindja e Gjermanisë po bëhet gjithnjë e më fort qendra nevralgjike e gjithë AfD-së. Janë landet lindore që dërgojnë shumicën e deputetëve të AfD-së në Bundestag, në parlamentin federal. Ato ushtrojnë kështu ndikim të madh në programin e partisë, “në drejtimin politik dhe atë të personelit të gjithë partisë”, siç u shpreh Ministria e Brendshme e Saksoni-Anhalt-it për degën e AfD-së atje.
Po arriti AfD-ja t’i fitojë zgjedhjet në Saksoni-Anhalt dhe në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, do të kemi ndryshim institucional: AfD-ja do të kishte qasje në dhomën e dytë të Parlamentit gjerman, ne Bundesrat. Me këtë AfD-ja do të ndikonte legjislacionin federal dhe mund të bllokonte projektligjet.
