Maks Vershtapen është rikthyer të flasë pas spekulimeve për pakënaqësinë e tij me Formulën 1 dhe mundësinë reale për t’i dhënë fund karrierës në elitë. Piloti holandez sqaroi qëndrimin e tij, u mbrojt dhe uli tonet dramatike që ishin lidhur me figurën e tij. Nuk duket se ka asgjë konkrete për momentin, dhe katër herë kampioni i botës u shfaq shumë më i qetë dhe bashkëpunues se në deklaratat e mëparshme.

Ndoshta pushimi i ka bërë mirë për të reflektuar… Vershtapen ishte protagonist i një mbrëmjeje në një teatër në Amsterdam dhe nga aty ai analizoi gjendjen aktuale të kampionatit, por pa dramatizime. “Thjesht përpiqem të përshtatem me atë që është. Edhe nëse tërhiqem pas disa vitesh, dua që Formula 1 të mbetet një sport i denjë”, u shpreh ai. Fjalë që nuk tingëllojnë si deklarata e dikujt që planifikon të largohet së shpejti.

Megjithatë, piloti i Red Bullit kërkon ndryshime. “Diçka duhet të ndryshojë”, theksoi ai, pa konfirmuar nëse do të vazhdojë apo jo. Madje dha edhe një ide të tijën, edhe pse jo shumë realiste në afat të shkurtër: “Do të më pëlqenin motorët V10 ose V8”, pranoi holandezi. Kjo mund të ndodhë vetëm rreth viteve 2030-2031, përveç nëse ka një ndryshim rrënjësor nga strukturat drejtuese të F1. Ndërkohë, rregullorja aktuale mbetet në fuqi. “Jemi në dialog me F1 dhe FIA. Por problemi është se diçka nuk funksionon në këtë rregullore. Nuk duan ta pranojnë publikisht, por ndryshimet e fundit e tregojnë këtë”, deklaroi Vershtapen. Një qëndrim i fortë, por zëri i tij gjithmonë merret seriozisht. Jo gjithçka ka shkuar sipas pritshmërive.

KRIZA TE RED BULLI

Në të njëjtën kohë, e ardhmja e tij lidhet edhe me një faktor tjetër të rëndësishëm, me Red Bullin. Është e qartë se spekulimet për katër herë kampionin e botës nuk do të mungojnë, sidomos me emra të mëdhenj si Mercedesi apo edhe ëndrra për një kalim te Ferrari. Kjo bëhet edhe më e mundshme nëse vazhdon rënia e performancës së ekipit aktual. Lajmi i fundit negativ ishte largimi i inxhinierit të tij kryesor, Xhanpiero Lambiase. “Më njoftoi për ofertën dhe i thashë se do të ishte budalla nëse nuk do ta pranonte”, tregoi Vershtapen.

Ai ende ka kontratë, por ky largim është domethënës. Megjithatë, Vershtapen nuk e sheh si diçka negative, duke qenë se kanë arritur gjithçka së bashku. “Kemi fituar gjithçka bashkë, dhe është një ofertë shumë e mirë që i jep siguri. Më kërkoi mendimin si të ishte leje, dhe i thashë ta pranonte patjetër. Donte ta dëgjonte këtë nga unë”, përfundoi Maksi dhe për mirë apo për keq, ai gjithmonë e thotë hapur atë që mendon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: