Një studim i ri nga Universiteti i Havait në Mānoa po sfidon një teori të vjetër mbi zhdukjen e zogjve endemikë në Hawaii, duke arritur në përfundimin se popullatat indigjene nuk janë shkaktare të humbjes së biodiversitetit.
Hulumtimi, i botuar në revistën Ecosphere, thekson se zhdukjet lidhen kryesisht me ndryshimet klimatike, speciet pushtuese dhe ndryshimet në përdorimin e tokës, dhe jo me gjuetinë nga njerëzit e parë që u vendosën në ishuj.
Sipas studiuesve, një pjesë e madhe e specieve të analizuara ishin zhdukur para mbërritjes së polinezianëve, ndërsa pjesa tjetër lidhet me ndryshime të mëdha klimatike gjatë kalimit nga Pleistoceni në Holoceni, si dhe me futjen e specieve të huaja si minjtë dhe sëmundjet.
Studiuesja Kauika Uinter thekson se narrativa e vjetër ka qenë e ndikuar nga paragjykime historike, të cilat shpesh kanë fajësuar në mënyrë automatike popullsitë indigjene për zhdukjen e specieve.
Ndërkohë, studiuesja tjetër Melisa Prajs thotë se rikthimi i praktikave tradicionale të menaxhimit të natyrës mund të ndihmojë në rigjallërimin e ekosistemeve dhe mbrojtjen e specieve të rrezikuara në të ardhmen.
