Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka folur për protestën e fundit të opozitës të zhvilluar të premten, si dhe për strategjinë që, sipas tij, duhet të ndjekë opozita në vijim. Ai tha se protestat janë shprehje e kundërshtimit ndaj sistemit dhe se ato do të vazhdojnë pa ndërprerje.
“Duhet të pranojmë se kemi dalë kundër këtij sistemi të grabitjes së votës. Duhet të sfidonim Ramën në zgjedhje. Por kur ky sistem pengon rezultatin që del nga takimet elektorale, e ka thënë OSBE ODIHR këtë për zgjedhjet. Dihen këto metoda që janë përdorur për të ndikuar në zgjedhje. Strategjia e opozitës, protestat do vijojnë. Nuk ka rrugë tjetër”, u shpreh Boçi.
Ai shtoi se, sipas tij, protestat duhet të jenë më të forta dhe më të ashpra në formë, duke theksuar se ka edhe mendime brenda opozitës që kërkojnë radikalizim të mëtejshëm të aksionit politik.
“Në qoftë se doni mendimin tim, unë i dua protesta më radikale. Ai nuk mund të gjuajë në mish, ne të gjuajmë në trotuar. Ngritën protestuesit peshë policët. Kur e dua më radikale, ka shumë opinione që duan protesta radikale. Nuk është se nuk pranohet si sugjerim. Nuk është matematikë kjo. Ne flasim për opsione. Unë po jap opsionin tim”, tha ai.
Boçi përmendi gjithashtu edhe mundësinë e ngujimit dhe grevës së urisë nga deputetët e PD-së, duke e konsideruar si një opsion që mund të vihet në zbatim në kushte të caktuara politike.
“Ka mendime që duhet të ketë ngujim, grevë urie të grupit parlamentar, janë në axhendë, janë të realizueshme sepse duhet të ketë krijim të disa kushteve dhe rrethanave që janë përtej PD-së që një veprim i tillë të jetë final. Sepse duhet të arrish qëllimin, është gjëja më e lehtë të ngujohesh se të dalësh në shesh”, deklaroi nënkryetari i PD-së.
