Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka folur për përplasjet brenda opozitës dhe raportin e tij me lidershipin e PD-së, duke theksuar se qëndrimet e tij politike janë të ndara si nga mazhoranca ashtu edhe nga drejtimi aktual i opozitës.

“Me Edi Ramën më ndajnë të gjitha gjërat që më ndajnë me Sali Berishën”, u shpreh Salianji, duke nënvizuar distancimin e tij politik nga mentalitetet e dy liderëve.

Ai u ndal edhe te shembuj ndërkombëtarë të ndryshimeve brenda partive politike, duke përmendur rastin e Peter Magyar, duke thënë se nuk mund të përdoret si krahasim për bashkim politik në Shqipëri.

“Rasti i Peter Magyar nuk ka lidhje me bashkim. Me kë u bashkua ai? Magyar nuk ishte zyrtar i lartë në partinë e Orban, ishte përfaqësues në një ambasadë… doli në një moment kur u thye morali i qeverisë”, tha ai.

Salianji theksoi se vendimi i tij për të qenë pjesë e debatit të brendshëm në PD lidhet me përgjegjësinë politike dhe jo me përfitimet personale.

“Unë po dal, i kisha të gjitha privilegjet, bëhesha prapë deputet, por kjo nuk i shërben Shqipërisë dhe opozitës. Nuk mund të bëhem bashkëfajtor me të tjerë që nuk i tejkalojnë dot privilegjet e veta për Shqipërinë”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb