Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka komentuar situatën brenda PS-së, duke u ndalur te debatet e fundit dhe figurat kryesore të së majtës, përfshirë Elisa Spiropalin dhe Erion Braçen.

I ftuar në programin e drekës në News24, Koçi u shpreh se nuk sheh një konflikt të hapur brenda Partisë Socialiste, por theksoi mungesën e oponencës dhe dobësimin e demokracisë së brendshme.

“Nuk mendoj se ka ndonjë konflikt në PS. Këtu mungon oponenca, është zeruar demokracia e brendshme në partitë politike,” deklaroi ai.

Duke komentuar qëndrimet e Spiropalit, Koçi vlerësoi reflektimin e saj, veçanërisht vendimin për të mos marrë pjesë në votimin për Belinda Ballukun, të cilin e cilësoi si një akt moral.

“Spiropali kishte edhe një lloj reflektimi. Në këtë pjesë duhet parë pozitivisht sidomos akti i saj që nuk mori pjesë në votimin e Ballukut, ishte akt moral për t’u vlerësuar. Përderisa nuk ka folur për të, e ka bërë me bindje. Nuk hyn në rastet që statuti i partisë e ndëshkon. Spiropali duhet ta fillonte me një ‘mea culpa’. Të gjithë ata që janë pjesë e historisë politike duhet të ndihen përgjegjës edhe kur nuk kanë gisht,” u shpreh Koçi.

Sa i përket ambicies së Braçes për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, ai e vlerësoi si një zhvillim pozitiv, duke e konsideruar atë një figurë që mund të maksimizojë votat për PS-në.

“Braçe ka qenë zë oponence në PS gjithnjë. Unë e kam përshëndetur faktin që ka shprehur ambicie për të qenë kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës. Mendoj se ai si kandidaturë e mundshme do merrte maksimumin. Në këto kushte, është kandidatura që merr më shumë. Nëse do bëhej kryetar bashkie, do ishte më autonom se çdo kandidaturë tjetër,” tha Koçi.

Ai shtoi se Braçe mund të tërheqë edhe vota kritike ndaj PS-së: “Vlerësoj se zëra kritikë ndaj PS do votonin për Erionin dhe jo për një figurë tjetër. Ndaj them se do ishte alternativë e mirë.”

Koçi komentoi edhe qëndrimet e Arben Malajt, për të cilin tha se ka të drejtë në disa çështje, por duhet të ketë një qasje më konstruktive.

“Arben Malaj ka të drejtë për shumë gjëra, por mendoj se qasja duhet të jetë pak më konstruktive për të qenë më bindës te elektorati i majtë. Nuk do e këshilloja të kandidonte për kryetar bashkie në Vlorë dhe qasja që ka nuk mendoj se është shumë efikase. Gjithsesi, përshëndes racionalitetin e tij, ato janë gjëra pozitive dhe duhen vlerësuar,” u shpreh ai.

Në përfundim, Koçi theksoi se Partia Socialiste ka nevojë për më shumë hapësirë demokratike dhe përfshirje të anëtarësisë në vendimmarrje.

“Është reduktuar demokracia në PS. Pushteti në parti duhet të kalojë nga të deleguarit tek anëtarësia, që të krijohet një lloj balance. Kjo do ta ndihmonte PS-në që të marrë frymë më tepër dhe të jetë më e suksesshme,” përfundoi ish-deputeti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb