Përfaqësuesi i minoritetit grek, Marin Suli, ka komentuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 takimin e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe atij grek, Kyraikos Mitsotakis.
Suli u shpreh se takimi mes Edi Rama dhe Kyriakos Mitsotakis nuk ka qenë një takim zyrtar dypalësh, por një aktivitet i Forumit të Delfit.
“Nuk ka qenë takim zyrtar i Ramës dhe Mitsotakis. Ka qenë Forumi i Delfit që ka ftuar Ramën dhe Mitsotakis e ka pritur si homolog”, tha ai.
Sipas Sulit, takimi është për t’u përshëndetur si takim mes dy kryeministrave të vendeve fqinje, por ai duhet të ishte më i shpeshtë dhe më konkret në rezultate.
“Sigurisht që vlen të përshëndetet takimi i dy kryeministrave të vendeve fqinje. Është takim që duhet të jetë më i shpeshtë. Ky takim përveç heqjes së vëmendjes dhe tutave të Ramës nuk pati ndonjë thelb”, deklaroi ai.
Suli kritikoi edhe deklaratat publike të kryeministrit shqiptar, duke pretenduar se ato janë përgënjeshtruar në disa media greke dhe se nuk ka një agjendë konkrete për çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve.
Sipas tij, çështje si kufiri detar dhe ligji i luftës kanë mbetur pa zgjidhje prej vitesh, megjithëse sipas tij dikur kishte pasur përpjekje për një marrëveshje.
“Janë çështje që zgjidhin probleme dhe shpresoj të kthehen se do përmirësojnë jetët e njerëzve”, u shpreh Suli.
Ai vijoi duke kritikuar Ramën, duke u shprehur se ai po përdor situatën për qëllime politike, pas situatës së vështirë të krijuar me krizën politike, ku në qendër është skandali i ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
“Unë e njoh sa herë gënjen Rama besoj se është gënjeshtër e radhës dhe në kuadër të nevojës vitale të tij për të marrë pak oksigjen në kuadër të kastrimit politik nga Balluku që i ka bërë atij”, deklaroi Suli.
