Pedagogu i së Drejtës Ndërkombëtare, Hektor Ruci, ka folur në emisionin “Kjo Javë” në News24 mbi takimin e fundit mes kryeministrit shqiptar dhe atij grek.

Duke iu referuar takimit mes Edi Ramës dhe Kyriakos Mitsotakis, Ruci u shpreh se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve shpesh kalon në cikle të përsëritura, pa prodhuar një stabilitet afatgjatë.

“Kur marrëdhëniet normalizohen, jo shumë herë ndodh diçka e pëlqyeshme dhe pastaj vjen një fazë e re ku themi se do kthejmë faqen. Ndodh që faqja e re është nganjëherë po aq e vjetër sa e mëparshmja”, tha ai.

Sipas tij, ekziston rreziku që pas zhvillimeve të viteve të fundit, marrëdhëniet Shqipëri-Greqi të hyjnë në një cikël të ri pa përparim real.

Ruci u ndal edhe te konteksti politik i brendshëm, duke vlerësuar se kryeministri Rama ndodhet në një moment të vështirë në arenën ndërkombëtare.

“Rama ka nevojë për mbështetje. Ndodhet në pikën më të keqe të PR-it të tij ndërkombëtar dhe ka një mal problemesh me korrupsionin në vend”, u shpreh ai.

Sipas pedagogut, kjo situatë mund ta shtyjë kryeministrin shqiptar të kërkojë përfitim politik nga afrimi me Greqinë, por pa një bazë të fortë besimi.

“Kam frikë se përpiqet të shfrytëzojë normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë, por marrëdhëniet e mira bazohen tek besimi i mirë. Nëse nuk ka besim të mirë, dhe Rama e ka treguar se nuk ka, është e vështirë të ndërtohet një narrativë e qëndrueshme fqinjësie”, deklaroi Ruci.

Ai theksoi se marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve kërkojnë besim të ndërsjellë dhe jo vetëm deklarata politike apo takime protokollare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb