Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka folur për situatën e tregut të telefonisë celulare në Shqipëri, ndërsa kujtojmë që prej javësh abonentët e One Albania kanë shprehur pakënaqësi për rritjen e tarifave.

Reagimet e qytetarëve kanë ardhur pas njoftimit të kompanisë One Albania për rritjen e çmimeve të shërbimeve, duke filluar nga data 1 maj 2026. Sipas një mesazhi standard të dërguar abonentëve, tarifat do të rriten deri në 2.2%, bazuar në indeksin e çmimeve të konsumit të publikuar nga INSTAT.

Shumë qytetarë janë shprehur se rritja e vazhdueshme e çmimeve nuk justifikohet me cilësinë e shërbimit, e cila sipas tyre mbetet e pandryshuar.

Duke komentuar situatën mbi tregun e telefonisë celulare, Biba theksoi se ky treg në Shqipëri nuk është monopol, por ka karakteristika të një tregu me konkurrencë të kufizuar.

“Në botë ka mijëra tregje dhe shumica kanë konkurrencë. Një treg pa konkurrencë është vetëm ai monopolistik, por në Shqipëri nuk kemi tregje të tilla. Megjithatë, ka tregje duopol, si ai i telefonisë celulare, që për shkak të strukturës së tyre krijojnë problematika,” u shpreh ai.

Biba bëri me dije se Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim për këtë treg dhe se ai është drejt përfundimit edhe pse nuk zbuloi detaje. Sipas tij, në javët në vijim priten zhvillime konkrete.

“Hetimi është në fazën përfundimtare dhe është çështje javësh që të dalim me një vendim. Mund të them se diçka e mirë do të ndodhë në tregun e telefonisë celulare,” deklaroi Biba, duke lënë të kuptohet se mund të ketë ndërhyrje për përmirësimin e kushteve për konsumatorët.

Ai shtoi se pritet një përmirësim i situatës në funksion të konkurrencës dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb