Zhvillimet politike në Kosovë, lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, po ndiqen nga afër nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë respektim të plotë të Kushtetutës dhe arritjen e një kompromisi politik.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka bërë të ditur se pret nga të gjitha palët politike që të veprojnë në përputhje me rendin kushtetues.
Zyrtarja e kësaj ambasade, Catalina Heine, u shpreh se procesi është duke u ndjekur me vëmendje.
“Po e ndjekim procesin në zhvillim dhe presim që të gjithë aktorët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi ajo.
Në të njëjtën linjë është edhe Bashkimi Evropian, i cili përmes zyrës së tij në Prishtinë thekson rëndësinë e stabilitetit institucional. Zëdhënësi i kësaj zyre, Nikola Gaon, u bëri thirrje forcave politike që të zbatojnë Kushtetutën dhe të gjejnë kompromisin e nevojshëm.
“Është përgjegjësi e të gjithë aktorëve politikë që të zbatojnë Kushtetutën e Kosovës, të arrijnë kompromisin e nevojshëm dhe të sigurojnë stabilitetin institucional në interes të qytetarëve”, theksoi Gaon.
Ai rikujtoi gjithashtu se viti 2025 është konsideruar si një “vit i humbur”, duke nënvizuar nevojën që Kosova të përshpejtojë reformat dhe të avancojë në rrugën e integrimit evropian.
Sipas tij, mbështetja financiare e Bashkimi Evropian për Kosovën përfshin Planin e Rritjes me vlerë 882.6 milionë euro deri në vitin 2027, si dhe fonde të tjera përmes programeve IPA dhe projekteve WBIF. Megjithatë, përfitimi nga këto fonde kërkon funksionimin normal të institucioneve, përfshirë qeverinë dhe Kuvendin.
BE thekson se mbetet e angazhuar për të mbështetur Kosovën, por kërkon partnerë institucionalë funksionalë për të çuar përpara bashkëpunimin dhe reformat.
