Drita, ka bërë një tjetër hap të madh drejt mbrojtjes së titullit të kampionit, pasi ka triumfuar në derbin ndaj Prishtinës, me rezultat minimal 1:0. Ndeshja e zhvilluar të mërkurën, në ndeshjen e javës së 31-të në Albi Mall Superligë, u vendos në minutat e fundit, kur sulmuesi Blerim Krasniqi realizoi nga afërsia në minutën e 83-të, pas një asistimi të saktë nga Liridon Balaj.

Me këtë fitore, Drita e forcon pozitën e parë me 60 pikë, duke rritur distancën ndaj ndjekësve, ndërsa Prishtina mbetet në vendin e katërt, duke ndërprerë serinë prej katër barazimesh radhazi.

Në garën për një vend që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane, Malisheva ka vazhduar formën e mirë, duke shënuar fitoren e tretë radhazi. Skuadra nga Malisheva ka mposhtur rivalin direkt për këtë pozitë, Gjilanin, me rezultat 3:1 në stadiumin “Liman Gegaj”, duke u përforcuar pozitën e tretë me 49 pikë.

Ndeshja u zhbllokua që në minutën e dytë me golin e Xhemal Ibishit, ndërsa Dreni Kryeziu dyfishoi epërsinë në fund të pjesës së parë. Ibishi realizoi edhe golin e tretë në minutën e 65-të, duke vulosur praktikisht fitoren e vendasve. Gjilani arriti të shënojë golin e nderit përmes kapitenit Armend Thaqi, i cili realizoi një supergol nga goditja e lirë në minutën e 72-të.

Fitore bindëse ka regjistruar edhe Llapi, i cili i është rikthyer rezultateve pozitive pas disa javësh pa fitore. Skuadra llapjane e ka mposhtur Prishtinën e Re, me rezultat 4:0.

Arbnor Ramadani hapi serinë e golave që në minutën e gjashtë, ndërsa Arianit Hasani dyfishoi rezultatin në pjesën e dytë pas asistimit nga Edon Sadriu. Ky i fundit u regjistrua edhe vetë në listën e realizatorëve pak para fundit të kohës së rregullt, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Fiton Ademi në minutën e 93-të.

Prishtina e Re luajti me një futbollist më pak nga minuta e 53-të, pas përjashtimit me karton të kuq të Endrit Morinës.

Pas kësaj fitoreje, Llapi ngjitet në kuotën e 36 pikëve në pozitën e tetë, që çon në ndeshjen e barazhit, ndërsa gara për mbijetesë mbetet e hapur. Prishtina e Re vazhdon të mbetet në fund të tabelës me 28 pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: