Partizani vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Flamurtarit, sfidë që do të luhet në stadiumin “Arena e Demave”, aty ku të kuqtë synojnë rikthimin te fitorja dhe mbajtjen gjallë të objektivit për një vend në zonën “Final Four”, në një moment shumë delikat të sezonit ku çdo pikë ka peshë të madhe për vazhdimësinë e kampionatit. Në prag të kësaj përballjeje, skuadra e drejtuar nga trajneri Oltijon Kërnaja ka marrë dy lajme shumë pozitive sa i përket organikës, pasi në dispozicion rikthehen dy lojtarë tepër të rëndësishëm si mbrojtësi Altin Bytyçi dhe mesfushori Redon Ismaili, të cilët munguan në derbin e fundit ndaj Tiranës për shkak pezullimi.

Të dy futbollistët ishin jashtë për sfidën e fundit të kampionatit pasi ishin ndëshkuar me kartonë dhe nuk mundën të ndihmonin skuadrën në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, por tashmë janë gati për t’u rikthyer dhe për të dhënë kontributin e tyre në përballjen ndaj Flamurtarit. Rikthimi i Bytyçit dhe Ismailit konsiderohet shumë i rëndësishëm për Partizanin, duke qenë se bëhet fjalë për dy lojtarë titullarë të formacionit të Kërnajës, të cilët kanë pasur rol të rëndësishëm gjatë gjithë sezonit si në aspektin taktik, ashtu edhe në balancën e skuadrës në fushë. Redon Ismaili ka qenë një nga lojtarët më të aktivizuar të Partizanit gjatë këtij kampionati, duke regjistruar plot 28 ndeshje me fanellën e të kuqve, ndërsa rëndësia e tij në repartin e mesfushës ka qenë evidente si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në organizimin e lojës së skuadrës.

Po aq i rëndësishëm ka qenë edhe Altin Bytyçi, i cili është aktivizuar në 29 ndeshje këtë sezon dhe ka qenë një nga pikat më të qëndrueshme të repartit defensiv, ndërsa ka dhënë kontribut edhe në fazën sulmuese duke gjetur njëherë rrugën e rrjetës. Goli i vetëm i Bytyçit në këtë kampionat erdhi në barazimin 2- 2 ndaj Teutës në këtë fazë të katërt, një ndeshje ku mbrojtësi tregoi edhe njëherë rëndësinë e tij në momentet vendimtare dhe aftësinë për të ndihmuar skuadrën edhe përtej detyrave difensive. Megjithatë, nëse rikthimi i dy titullarëve është një lajm pozitiv për Partizanin, stafi teknik duhet të përballet edhe me një mungesë të rëndësishme për këtë javë, pasi mesfushori Arafat Dumbia nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Flamurtarit.

Vendi i katërt, derbi përcaktuesDumbia u ndëshkua me karton të verdhë në derbin ndaj Tiranës dhe plotësoi numrin e kartonëve që sjell automatikisht pezullimin për një ndeshje, duke e detyruar mesfushorin të qëndrojë pushim pikërisht në një moment të rëndësishëm të sezonit. Mungesa e tij padyshim përbën një problem për skuadrën, pasi bëhet fjalë për një lojtar me shumë peshë në mesin e fushës, por rikthimi i Ismailit qetëson ndjeshëm situatën dhe i jep më shumë alternativa trajnerit Oltijon Kërnaja për të ruajtur ekuilibrin në repartin e mesfushës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: