Një nga personat e shpallur në kërkim mbi atentatin ku mbetën të vrarë Gentjana dhe Kreshnik Mujeci në Lezhë, Besnik Kolndreu, në një reagim për Neës24, ka deklaruar se momentalisht ndodhet në Malin e Zi dhe se do të vetëdorëzohet sapo të marrë konfirmimin nga avokati i tij.
Ai u shpreh se personat e tjerë të shpallur në kërkim nuk i ka takuar përtej të paktën një viti, ndërkohë që ka kërkuar që institucionet të zbardhin ngjarjen.
“Unë kam folur me shefin e madh të Policisë së Lezhës direkt dhe i kam thënë që unë do të vij në këmbë, gjallë a vdekur te ti dhe gjithçka do të sqarohet që të pastroj emrin tim. Thjesht po pres një OK nga avokati im që të më thotë hajde. Pra mua do më shikoni të vetëdorëzuar dhe askush të mos thotë e kapëm këtu e kapëm atje kriminelin sepse nuk jam një kriminel.
Dhe dua të shtoj që dy personat e shpallur në kërkim nuk i njoh fare sepse nuk janë rritur aty, plus unë kam gjithë jetën në mërgim. Le të dalë një shqiptar i vetëm të thotë që më ka parë me ta qofte një sekondë. Le të kërkojnë telefonata, rrjete sociale në qoftë se kam pasur një komunikim të vetëm me ta. Personin më të rritur e njoh sepse është rritur aty por le të dalë dikush të thotë që e kam takuar të paktën dy vitet e fundit. Hera e fundit ka qenë para dy vitesh kur e kam paguar të më sjellë torfe me kamionin e tij për serën time.
Dhe diçka dua t’ju them.. unë qendrën e Torovicës e kam 5-6 km larg aty ku janë kafenetë, le të thotë dikush nëse më ka parë 10-12 muajt e fundit aty të pi një kafe.. sepse unë nuk kam kohë për kafe. Dhe një ditë që vij për pushime unë vetëm punoj te shtëpia se pleqtë janë të vjetër.
Dhe për ta mbyllur.. Unë nuk e di kush ka vrarë, kanë vrarë apo nuk kanë vrarë. Nuk është kjo puna ime por e shtetit.. unë thjesht po flas për personat që më akuzojnë si bashkëpunëtor pa e ditur janë apo nuk janë fajtorë. Këtë e di shteti, gjykata, prokuroria”, tha ai.
