Ditën e sotme në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” të moderatores dhe autores Evis Ahmeti u trajtua historia e rëndë që ka mbërthyer në ankth një familje të tërë nga fshati Kuman i Roskovecit. Prej disa ditësh, qetësia e kësaj shtëpie është shuar nga mungesa e papritur dhe e pashpjegueshme e Anxhela Shurdhës, vajzës se tyre, e cila u largua pa lënë gjurmë, duke lënë pas dhimbje, pasiguri dhe një plagë të hapur në zemrat e njerëzve të saj më të afërt. Prindërit e saj jetojnë mes shpresës dhe frikës, ndërsa vajza e vogël, vetëm 7 vjeçe, çdo mbrëmje kërkon të ëmën, pa kuptuar pse ajo nuk kthehet. Një pritje e gjatë, e heshtur dhe rrëqethëse që rëndon çdo ditë edhe më shumë mbi këtë familje.
Gjatë transmetimit live të emisionit Anxhela telefonoi babain e saj, i cili ndodhej në komisariatin e policisë. Në këtë telefonatë, ajo pohoi se ishte mirë dhe se ndodhej jashtë Shqipërisë, konkretisht në Greqi. Një deklaratë që në vend që të qetësonte familjen, ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje. Që nga ajo ditë, komunikimi i saj me familjen ka qenë i rrallë dhe i paqartë. E vetmja lidhje ka qenë me nënën, e cila mes lotësh i lutet të rikthehet pranë vajzës së saj të mitur, e cila ka nevojë për përqafimin dhe praninë e së ëmës. Nëna e saj shprehet e tronditur dhe e pafuqishme përballë kësaj situate që ajo e quan të pakuptimtë.
Sipas saj, lindin dyshime të forta se dikush mund ta mbajë Anxhelën larg familjes së saj, pasi sjellja dhe mungesa e kthimit nuk përputhen me karakterin dhe jetën e saj të mëparshme. Sipas dëshmive, dita e zhdukjes mbetet e mbuluar me mister. Anxhela u largua nga ambientet e punës pasi telefonoi nënën dhe i tha se nuk do të kthehej në shtëpi atë natë, me arsyetimin se do të vazhdonte punën. Të njëjtën gjë, sipas familjarëve, e ka konfirmuar edhe pronari i saj, duke lënë të kuptohet se ajo nuk do të rikthehej në banesë. Por që nga ai moment, gjithçka ndryshoi. Nëna e Anxhelës tregoi telefonatën me të bijën, ndërsa kjo e fundit kishte pohuar se kishte ikur drejt Janinës në këmbë. Ajo tha se dikush e mban me zor të bijën.
“Fola pas emisionit. Ajo telefonon, por 5 minuta. Pas emisionit ajo telefonoi të nesërmen. Ajo më tha; mami mos u bëj merak se jam në Greqi, jam në Janinë. I thashë kthehu se ke fëmijën këtu pas. Ishte me një greke dhe foli dhe një burrë tjetër, ai ishte shqiptar. Më folën dhe ata. Ajo tha ika në këmbë në Janinë. Nuk e tregon se kush e mban atje. Kush është shqiptari që e mban. Ajo pasaportën e ka këtu, kartën e identitetit e ka me vete. Mu duk e frikësuar kur foli në telefon. I thash kthehu se na ka dërguar ca dokumente policia. Ajo tha do kthehem, po s’ka ardhur. Nuk është e lirë atje ku ndodhet, se pak flet. Është gjithmonë me persona të tjerë, nuk është vetëm kur flet pak me ne. Kam dëgjuar që të tjerët flasin greqisht.”, pohoi nëna.
