Gara për drejtimin e PD ka ngjallur debate të shumta ditët e fundit, me kandidaturat përballë kreut aktual Sali Berisha, që nuk janë pranuar. Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj janë skualifikuar nga gara, ndërsa një ditë më parë kandidimi nuk iu lejua as ish-deputetit të PD Ervin Salianji, nënkryetares së FRPD, Alesia Balliu dhe ish-anëtares së Komisionit të Rithemelimit, Evi Kokalari.

Drejtori i zyrës së komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, ka deklaruar se më 23 maj do të kryhet rikonfirmimi i kreut të PD, Sali Berisha.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, të autores dhe moderators Nisida Tufa, Lela u shpreh se procesi ka qenë transparent, ndërsa dy kandidatura janë rrëzuar për arsye që kanë të bëjnë me Statutin.

“Më 23 maj ka rikonfirmim të kryetarit të PD, të zotit Sali Berisha. Procesi i garës ka qenë i hapur dhe transparent, siç edhe ju e keni parë. Dy kandidatura janë rrëzuar nga Komisioni i Zgjedhjeve në PD, për arsye që kanë të bëjnë me Statutin, për arsye se profili i tyre, i një zonje dhe i zotërie, nuk i plotëson, po themi, kriterin e profilit të lartë politik për të qenë në garë për kryetar të Partisë Demokratike. Kjo, mendoj që edhe dokumenti ka dalë, edhe procesi ka qenë në sy të kamerave dhe rrjedhimisht në sy të opinionit publik. S’ka pasur asgjë për të fshehur, ka qenë çdo gjë transparente dhe e kthjellët”, tha ai.

Nisida Tufa: Ka bërë shumë zhurmë këto orë emri i një tjetër mjeke që synonte vendin e kryetares së Partisë Demokratike, por që ishte ndër emrat e skualifikuar. Ç’ju thonte personi i saj, apo emri që u përzgjodh dhe e shohim edhe në foto? Shumë ishte paragjykimi për të, por gjithsesi, si do të ishte një garë mes kësaj zonje dhe zotit Berisha?

Alfred Lela: Nuk mund ta dimë për arsye edhe njëherë, zonja është anëtare e Partisë Demokratike, e plotëson këtë kriter, por nuk plotëson disa prej kritereve të tjera, dy më të rëndësishmet: profili i lartë politik dhe publik, të cilin zonja nuk e ka. Pra, mund të jetë, jam i sigurt që është e njohur në komunitetin e mjekëve dhe në komunitetin ku ajo jeton, por nuk është e njohur publikisht, pra, nuk është një emër, një profil që i thotë diçka Shqipërisë. Dhe ta pranojmë që dy partitë e mëdha, Partia Demokratike, që është një ndër dy partitë më të mëdha në vend, meriton dikë të njohur me aktivitet të gjerë publik.
Pra, nuk është se ka ndonjë hile këtu. Mendoj që duhet të biem dakord te kjo. Nuk mund të jetë një i panjohur ose e panjohur kandidat për kryetar partie, pasi kjo do ta minonte garën më shumë sesa të lihej të bëhej një garë, sepse gara atëherë do të ishte e pavërtetë dhe e papërmbushur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb