Kombëtarja shqiptare e veteranëve do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj përfaqësueses së veteranëve të Kosovës, në kuadër të aktiviteteve që organizohen për 10-vjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA.

Ky event i veçantë do të zhvillohet më datën 3 maj 2026 në Prishtinë dhe Hajvali, duke bashkuar figura të njohura të futbollit nga të dy vendet në një atmosferë festive dhe simbolike.

Programi do të nisë me ceremoninë zyrtare të hapjes, ku do të marrin pjesë drejtues të futbollit nga të dy vendet, për të vijuar më pas me aktivitete sportive dhe ndërvepruese.

Kulmi i këtij eventi do të jetë ndeshja miqësore ndërkombëtare mes veteranëve të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila do të luhet në orën 14:00 në fushën e kompleksit të FFK-së.

Ky aktivitet përfaqëson jo vetëm një festë të futbollit, por edhe një moment të rëndësishëm bashkimi dhe bashkëpunimi mes dy federatave, duke forcuar më tej lidhjet sportive dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb