E shndërruar në një traditë disavjeçare, pelegrinazhi i teqesë bektashiane e Turballi Sulltanit mblodhi në Larisa të Greqisë besimtarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Turqia e Greqia.

Besimtarët, edhe pse në kushte të pafavorshme moti u lutën në këtë vend të shenjtë, tempull të paqes dhe dashurisë njerëzore që fton të gjithë njerëzit pa dallim besimi, bindjeje, tradite, feje apo kombësie të jetojnë në harmoni, mirëkuptim dhe vëllazëri njerëzore.

Pasi u respektuan himnet kombëtare të Greqisë, Shqipërisë dhe himni botëror bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj e vlerësoi këtë tempull si urë lidhëse midis besimeve.

Kryegjyshi botëror ka vlerësuar kontributin e shqiptarëve në ruajtjen e identitetit dhe kombit.

Baba Mondi shprehu besimin se nëpërmjet mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe rrugëve ligjore do të mundësohet afirmimi i plotë i identiteti të kësaj teqeje si pjesë e trashëgimisë së Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Në përfundim të ceremonisë nuk mungoi lutja për paqe, dashuri dhe vëllazëri mes njerëzve, duke përçuar një mesazh shprese për shoqërinë e sotme njerëzore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: