Kryetarja e degës 9 të Partisë Demokratike në Tiranë, Eda Grimci, e ftuar në emisionin “Studio24”, ka folur për zhvillimet e brendshme në PD, duke u ndalur te gara për kryetar dhe përjashtimet nga procesi zgjedhor.
Sipas saj, procesi në PD nuk duhet të shihet si “betejë”, por si një garë normale zgjedhjesh që zhvillohet në të gjitha nivelet e partisë, nga seksionet deri te drejtimi qendror.
“Nuk e kuptoj pse zgjedhjet në PD duhet të konsiderohen betejë. Në PD nuk ka betejë, ka zgjedhje,” u shpreh Grimci, duke shtuar se procesi zgjedhor është pjesë e funksionimit normal të partisë.
Ajo solli në vëmendje edhe procesin e vitit 2022, kur sipas saj, Sali Berisha u votua me referendum si kryetar i partisë, duke theksuar se në atë kohë nuk pati të njëjtin debat për legjitimitetin e procesit.
Duke folur për rastet e përjashtimit nga gara, ajo sqaroi se Partia Demokratike ka rregulla dhe një sistem të brendshëm karriere politike, ku çdo kandidat duhet të plotësojë kushte të caktuara përpara se të garojë.
Sipas saj, nuk mund të kandidojë kushdo që thjesht ka një teserë partie, por kërkohet kontribut i mëparshëm në strukturat e partisë dhe në zgjedhje.
“Zonja Mereme Sela është aplikonte, jo kandidaturë. Kandidaturë konsiderohesh kur miratohesh nga komisioni. Dokumentacioni merret në recepsion. Zonja Sela është anëtare e PD. Nëse mendoni se PD është urbani i linjës ku tesera e partisë konsiderohet abone, e keni gabim”, tha ajo.
Grimci u ndal edhe te debatet për mundësinë e dërgimit të çështjeve të PD në gjykatë, duke thënë se legjitimiteti në parti nuk mund të kërkohet nga persona që nuk janë anëtarë ose nuk ndjekin procedurat statutore.
