Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në partneritet me Protik Innovation Center dhe kompaninë globale të edukimit teknologjik General Assembly, ka zyrtarizuar
nisjen e një bashkëpunimi strategjik tre-vjeçar që synon fuqizimin e aftësive digjitale dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni të organizuar në ambientet e Innovation Hub tek Piramida, në praninë e përfaqësuesve të lartë nga qeveria, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, përfaqësues të Bordit të Administratorëve të AADF-së, përfaqësues nga General Assembly, partnerë ndërkombëtarë ADECCO, si dhe përfaqësues nga kompani tekonologjike.

Ky partneritet synon të ofrojë programe trajnimi të avancuara në fushat e teknologjisë Artificiale (AI), zhvillimit të software-it dhe teknologjisë në arsim (EdTech), duke adresuar drejtpërdrejt nevojat e tregut të punës dhe duke krijuar mundësi reale punësimi për pjesëmarrësit.
“Teknologjia nuk po transformon vetëm mënyrën se si punojmë—ajo po ripërcakton mënyrën se si shoqëritë konkurrojnë dhe si individët ndërtojnë të ardhmen e tyre. Për Shqipërinë, ky është një moment unik për të bërë një hap përpara, për të pajisur qytetarët me aftësi të nivelit ndërkombëtar dhe për t’u integruar plotësisht në ekonominë globale. Në AADF, ne kemi besuar gjithmonë në sjelljen e modeleve më të mira nga bota dhe përshtatjen e tyre në kontekstin lokal. Ky partneritet reflekton pikërisht këtë qasje—duke siguruar që të mësuarit të jetë një proces i vazhdueshëm, që talenti të mbetet konkurrues dhe që Shqipëria të mos ndjekë thjesht ritmin e ndryshimit, por ta formësojë atë”, u shpreh kryetari i Bordit të AADF, Michael D. Granoff.
Programi synon t’u vijë në ndihmë, studentëve, profesionistëve të rinj dhe individëve në mes të karrierës, duke ofruar mundësi për hyrje në sektorin e teknologjisë, si dhe përmirësimin dhe rikualifikimin profesional. Përmes një modeli të kombinuar të financimit, AADF do të ofrojë mbështetje financiare dhe bursa për pjesëmarrësit e përzgjedhur, duke reduktuar barrierat ekonomike dhe duke nxitur angazhimin aktiv.
“Në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria përballet me sfidën e përshtatjes ndaj një tregu gjithnjë e më konkurrues. Për të qenë të suksesshëm, duhet të rrisim kapacitetet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë mbi 85% të ekonomisë, dhe të investojmë në mënyrë të qëndrueshme në zhvillimin e talenteve. Ky memorandum krijon një mundësi konkrete për të përmirësuar aftësitë e së nesërmes dhe për të përfituar maksimalisht nga transformimi digjital që po formëson të ardhmen”, Delina Ibrahimaj, Ministre e Inovacionit.
Programi do të implementohet përmes një strukture të integruar ku secili nga partnerët luan një rol të veçantë, AADF-ja do të ofrojë mbështetje financiare dhe drejtim strategjik, Protik Innovation Center do të udhëheqë implementimin lokal dhe përfshirjen e talenteve, ndërsa General Assembly do të sjellë ekspertizën globale në edukimin teknologjik dhe zhvillimin e kurrikulave. Trajnimet do të përfshijnë edhe bootcamp-e intensive (420-480 orë), si dhe kurse të shkurtra (40-50 orë), të dizajnuara sipas standardeve ndërkombëtare dhe të orientuara drejt praktikës, me metoda mësimi të bazuara në projekte konkrete të kombinuara, online dhe fizikisht.
“Kjo marrëveshje shkon përtej një partneriteti formal—ajo përfaqëson një platformë për inovacion, llogaridhënie dhe rezultate të matshme. Së bashku, po krijojmë kushtet që Inteligjenca Artificiale të shërbejë si një mjet për përfshirje dhe progres, duke hapur mundësi të reja për talentin në Shqipëri. Jam i bindur se, në vitet në vijim, kjo nismë do të jetë një shembull konkret i asaj që mund të arrihet përmes bashkëpunimit të fortë për të ardhmen e fuqisë punëtore në vend”, tha Bettina Schaller, Drejtoreshë e Çështjeve Publike, Adecco Group.

Përmes lidhjes së kompanisë General Assembly me Adecco Group, një lider global në zgjidhjet e punësimit, programi synon të krijojë ura konkrete midis trajnimit dhe punësimit, duke ndihmuar pjesëmarrësit të integrohen në tregun e punës. Ky partneritet pritet të kontribuojë në transformimin digjital të vendit dhe në ndërtimin e një fuqie punëtore të kualifikuar, të aftë për të përballuar kërkesat e ekonomisë globale.


