Sot po rikthehem tek “Halimi” i Petro Marko-s, një roman i shkruar në vitin e largët 1969. Ky libër për mua nuk është thjesht letërsi. Ai është kujtesë, ideal dhe karakter.

Rrëfimi i Petro Marko-s qëndron në altarin e nderit të letërsisë shqipe. Jeta e tij e jashtëzakonshme është një pasuri e madhe. Për mua personalisht Petro Marko është më shumë se një shkrimtar, pasi jam rritur dhe burrëruar duke e lexuar. Ai lidh për mua dy botë. Ëndërrimet dhe aventurat e fëmijërisë me sifdat dhe idealet e burrërisë.

Figura e Halim Xhelos (Skëndaj), biri i Tërbaçit të Vlorës, nuk është vetëm një personazh i këtij romani. Ai është një model i rrallë i djalërisë shqiptare, një publicist dhe patriot që jetoi dhe u shua në shërbim të një ideali më të madh se vetja. Një simbol i djalërisë idealiste dhe shqiptarizmës së kulluar.

Ndërkohë, për mua, ky roman nuk është vetëm histori. Është edhe gjak. Një vijë që lidhet përmes stërgjyshes time nga ana e babait Xhurxhisë, nga fisi i madh Skëndaj i Tërbaçit të Vlorës. Idealet e Halimit u mbajtën gjallë nga brezat. Ato frymëzuan nipin e tij dhe gjyshin tim Arshi Imer Beqiri (Alilekaj), në sfidat e Luftës së Dytë Botërore. Kjo trashëgimi gjaku nuk të lë që të jesh indiferent ndaj rrënjëve.

Petro Marko, një nga themeluesit e prozës moderne shqiptare, nuk ia kushtoi Halimit rastësisht këtë roman. Ai pa tek Halimi atë që shpesh na mungon sot në Shqipërinë tonë. Ai pa pastërtinë e bindjes dhe guximin për të qëndruar drejt. Ai pa besimin tek Shqipëria si ideal, jo si interes.

Ky libër të sfidon. Të vendos përballë një pyetjeje të thjeshtë, por të rëndë:

Sa grimca nga ajo djalëri e kulluar e shqiptarizmës jeton ende tek ne sot?

Dhe ndoshta nuk është rastësi që disa libra nuk plaken kurrë. Sepse nuk flasin për kohën e tyre…por për ndërgjegjen tonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb