David Alaba mund të jetë një nga emrat surprizë të merkatos së verës për Juventusin. Në takimin e zhvilluar ditët e fundit në Itali mes drejtuesve të Juventusit dhe agjentit të njohur Pini Zahavi, fillimisht në qendër të diskutimeve ishte Robert Lewandowski, por gjatë bisedave është përmendur edhe profili i mbrojtësit austriak.

Alaba, që muajin e ardhshëm mbush 34 vjeç, pritet të largohet nga Real Madridi në fund të sezonit. Pas një periudhe të suksesshme me Bayern Munich dhe fillimit pozitiv në Madrid, karriera e tij në vitet e fundit është ndikuar ndjeshëm nga problemet fizike, faktor që sot ngre pikëpyetje edhe për klubet e interesuara.

Megjithatë, Juventusi e sheh austriakun si një profil me eksperiencë dhe personalitet, në përputhje me idetë e Spallettit për ndërtimin e skuadrës së re. Drejtuesit bardhezi po analizojnë me kujdes kushtet fizike të lojtarit, ndërsa çështja ekonomike nuk konsiderohet një pengesë e pakalueshme. Aktualisht Alaba përfiton rreth 10 milionë euro neto në sezon, por lojtari është i gatshëm të ulë ndjeshëm pretendimet financiare për të nisur një aventurë të re.

Në garë për mbrojtësin nuk është vetëm Juventusi. Interes për të ka shfaqur edhe Manchester United, ndërsa emri i tij është propozuar edhe në MLS dhe në kampionatin saudit. E ardhmja e Alabës mbetet ende e hapur, por vera pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme për një nga mbrojtësit më me eksperiencë të futbollit europian. Në një kohë që tratativa për Robert Lewandovskin ka mbetur në “stand by”, Juve po punon për të mos humbur kohë për të sjellë një mbrojtës teknikut Spalletti me shumë eksperiencë ndërkombëtare sikundër është David Alaba, që natyrshëm do të kompletonte repartin difensiv të bardhezinjve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb