Gazetarja Denada Kola, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, duke u ndalur te përplasjet e brendshme dhe gara për kryetar, ku i vetmi kandidat mbetet Sali Berisha pas mospranimit të kandidaturave të tjera.

Ajo u shpreh se pas zgjedhjeve të 11 majit, Ervin Salianji ishte ndër të parët që kërkoi analizë të rezultatit zgjedhor dhe reflektim brenda Partisë Demokratike.

Sipas saj, Salianji kërkonte mbledhje dhe një analizë të thelluar të zgjedhjeve, si dhe organizimin e protestave dhe një strategji të qartë opozitare, por këto kërkesa nuk u adresuan nga drejtimi i PD.

Ajo theksoi se, sipas saj, nga 11 maji deri në nisjen e lëvizjes së Salianjit nuk pati reagim të strukturuar nga Partia Demokratike mbi rezultatin zgjedhor, përveç akuzave se zgjedhjet janë “vjedhur”.

Kola u shpreh se kërkesa e Salianjit për analizë në nivel qarqesh dhe drejtuesish lokalë ishte legjitime dhe normale në një proces paszgjedhor, duke shtuar se menaxhimi i situatës nga PD nuk ishte i duhur.

Sipas saj, PD nuk pati “luksin” të tregonte ashpërsi apo përjashtim ndaj asnjë figure, duke përfshirë edhe Salianjin, i cili sipas saj ka qenë një nga zërat në mbështetje të Sali Berishës gjatë përplasjeve të mëparshme.

Ajo shtoi se mungesa e analizës dhe reagimi i shpejtë sollën një situatë konfuzioni brenda Partisë Demokratike, e cila sipas saj u gjend në një “grackë të vetëkrijuar”.

Kola theksoi gjithashtu se, sipas saj, një proces i hapur analizimi dhe më pas organizimi i garës për kryetar do të kishte shmangur tensionet aktuale në Partinë Demokratike.

Duke iu referuar Salianjit, ajo tha se ai nuk kërkon përplasje gjyqësore, por kërkon të marrë pjesë në garë dhe të vlerësohet në mënyrë politike, duke shtuar se rezultati i çdo gare duhet të pranohet si pjesë e procesit demokratik brenda partisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb