Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka përcjellë një mesazh në Ditën e Europës, 9 Maj, ku ka theksuar se “demokracia dhe ndryshimi janë vlera themelore të projektit europian”.

Në reagimin e tij, Salianji ka lëshuar edhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kreut të PD, Sali Berisha për të cilin shprehet se ndodhet prej 36 vitesh në drejtimin e partisë dhe nuk respekton normat demokratike të vendimmarrjes.

Sipas Salianjit, Partia Demokratike nuk mund të përfaqësojë pritshmërinë e shqiptarëve për integrim europian pa një frymë të re dhe pa ndryshim real në lidership.

“Dita e Europës nuk është thjesht një simbol, ajo është një thirrje për ndryshim. Partia Demokratike duhet ta përfaqësojë këtë pritshmëri të popullit shqiptar. Por këtë nuk mund ta bëjë kurrë duke pasur në krye të njëjtin lider prej 36 vitesh, që nuk respekton asnjë normë demokratike. Europa që ne besojmë është ajo e lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vendimmarrjes nga qytetarët”, shprehet Salianji.

Reagimi|
Gëzuar 9 Majin, Ditën e Europës
Në një kohë të errët për njerëzimin, pas shkatërrimit që lanë pas sistemet totalitare, etërit themelues të Europës së Bashkuar vendosën se demokracia dhe shteti i së drejtës janë garancitë e vetme që shoqëritë të mund të ndryshojnë dhe zhvillohen në paqe.
Demokracia është pikërisht kjo: një sistem përmes të cilit pushteti mund të lihet dhe ndryshimi bëhet i mundur.
Demokracia nuk është perfekte por është i vetmi sistem vlerash kundër autokratëve.
Sot, kur një brez i tërë në Shqipëri kërkon të mbyllë një tranzicion të gjatë dhe të çojë vendin drejt integrimit europian, përballemi ende me përpjekje për të mbyllur hapësirat e brendshme, për t’u kthyer tek interesat personale dhe për t’i rezistuar ndryshimit.
Por Dita e Europës nuk është thjesht një simbol, ajo është një thirrje për ndryshim.
Partia Demokratike duhet ta përfaqësojë këtë pritshmëri të popullit shqiptar. Por këtë nuk mund ta bëjë kurrë duke pasur në krye të njëjtin lider prej 36 vitesh, që nuk respekton asnjë normë demokratike.
Europa që ne besojmë është ajo e lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vendimmarrjes nga qytetarët.
Këto janë parimet mbi të cilat ndërtohet familja politike europiane dhe që duhet të udhëheqin çdo forcë politike që synon të jetë pjesë e saj.
Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një frymë të re dhe për një brez që beson në këto vlera dhe kërkon t’i kthejë ato në realitet.
Ndryshimi nuk është vetëm një nevojë. Është një detyrim europian.
Vetëm kështu PD bëhet fituese.
Gëzuar Ditën e Europës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb