Java e 36-të e Serie A, pa sërish protagoniste absolute  Interin, që tregoi edhe një herë mentalitetin e kampionit duke mposhtur me autoritet 3-0 Lazio në “Olympico”, vetëm pak ditë përpara finales së Kupës së Italisë mes këtyre dy skuadrave.

Zikaltrit e nisën sfidën në mënyrën më të mirë të mundshme. Vetëm gjashtë minuta lojë dhe Lautaro Martínez zhbllokoi rezultatin me një goditje spektakolare në ajër pas asistit të Marcus Thuram. Interi dominoi ritmin e lojës dhe vazhdoi të krijonte raste, ndërsa Lazio hasi vështirësi për të reaguar. Në minutën e 39-të erdhi edhe goli i sigurisë: Lautaro shërbeu për Petar Sučić, i cili dyfishoi shifrat dhe i dërgoi zikaltërit të qetë drejt pushimit.

Në pjesën e dytë, skuadra e Maurizio Sarri provoi të rihapte takimin, por momenti vendimtar erdhi në minutën e 59-të, kur Alessio Romagnoli u ndëshkua me karton të kuq direkt, duke lënë Lazion me dhjetë lojtarë. Megjithatë, bardhekaltërit nuk u dorëzuan dhe krijuan disa raste të rrezikshme, por Interi mbeti i ftohtë dhe cinik. Në minutën e 76-të, pas një aksioni të gjatë ofensiv dhe asistit të Bonny, Henrikh Mkhitaryan realizoi golin e tretë me një goditje të fuqishme nën traversë, duke vulosur përfundimisht suksesin 3-0.

Me këtë fitore, Interi ngjitet në kuotën e 85 pikëve dhe jep një mesazh të qartë: skuadra nuk është e ngopur me sukses dhe synon të fitojë edhe Kupën e Italisë.

Fitore shumë të rëndësishme mori në mbrëmje edhe Juventus, që triumfoi 1-0 në transfertën e vështirë ndaj Lecce. Bardhezinjtë e nisën sfidën në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh pas vetëm 10 sekondash lojë falë Dušan Vlahović. Sulmuesi serb realizoi golin më të shpejtë në historinë e Juventusit dhe i dha menjëherë qetësi skuadrës së tij. Skuadrës së Spalletit iu anuluan edhe dy gola në pjesën e dytë nga VAR për pozicion të parregullt, ndërsa rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Për Leccen u aktivizua për gjatë gjithë sfidës mesfushori i kombëtares tone Ylber Ramadani. Kjo ishte ndeshja e 100 e tij me fanellën e Lecces. Falë kësaj fitoreje Juventus shkon në 68 pikë, duke parakaluar përkohësisht Milanin në vendin e 3 e duke shpresuar në gabimet e ndjekësve, sa i takon garës për zonën Champions.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb