Ish-deputeti Ervin Salianji ka vijuar turin e takimeve me mbështetësit në Peshkopi, ku ka lëshuar mesazhe të forta për ndryshime brenda Partisë Demokratike dhe përballje me drejtimin aktual të selisë blu.
Gjatë fjalës së tij, Salianji deklaroi se PD duhet të frymëzojë qytetarët dhe të rikthejë mobilizimin masiv të elektoratit.
“Ne duhet të frymëzojmë ndryshimin dhe të çojmë mbi 800 mijë votues në kutitë e votimit. PD duhet të ndryshojë”, tha ai.
Salianji u shpreh se takimet në të gjithë Shqipërinë synojnë ndërtimin e një Partie Demokratike që, sipas tij, mund të mobilizojë një shumicë qytetarësh dhe të rikthejë “epërsinë morale” me të cilën demokratët kanë ardhur më parë në pushtet.
“Këtë gjë e shohim edhe sot në këtë sallë të Dibrës, herën tjetër do ta bëjmë takimin në stadium”, deklaroi ai, ndërsa falënderoi demokratët e Dibrës, Durrësit, Elbasanit, Gjirokastrës, Beratit dhe Shkodrës për mbështetjen.
Ish-deputeti paralajmëroi se lëvizja e nisur prej tij do të shtrihet edhe në kryeqytet.
“Tirana po pret, nuk e kemi lënë për në fund. Ata që bëjnë zgjedhjet e degëve në Tiranë fshehurazi, do ta shkundim edhe Tiranën”, u shpreh Salianji.
Ai e cilësoi këtë si një lëvizje të paprecedentë në historinë e Partisë Demokratike, duke theksuar se për herë të parë po sfidohet kryetari në detyrë me një mbështetje të tillë nga baza demokrate.
“Nuk kemi parë kurrë në historinë e PD të sfidohet kryetari në detyrë dhe të ketë këtë mbështetje nga demokratët”, tha ai.
Në fund, Salianji deklaroi se ai dhe mbështetësit e tij nuk do të tërhiqen përballë presioneve dhe sulmeve politike.
“Nuk kemi ofenduar askënd, kemi dashur të mos përçajmë, por kemi marrë fyerje, shantazh dhe linçim. Po e them edhe nga Dibra, mua dhe mbështetësit e mi as nuk na trembin, as nuk na shantazhojnë. Nuk zmbrapsemi, me ne u ka ngecur sharra në gozhdë”, deklaroi Salianji.
