Ish-deputeti Ervin Salianji ka vijuar kritikat ndaj lidershipit aktual të Partisë Demokratike, duke deklaruar se ndryshimi në opozitë nuk mund të vijë pa rinovim të lidershipit.

Gjatë një takimi me mbështetësit, Salianji u shpreh se Partia Demokratike nuk mund të presë rezultate të reja me të njëjtat figura që, sipas tij, kanë prodhuar humbje të njëpasnjëshme.

“Ndryshimi nuk vjen pa rinovim të lidershipit të PD. Si mund të presësh rezultate të reja nga figurat që kanë prodhuar të njëjtat humbje?”, deklaroi ai.

Salianji ironizoi edhe personat që, sipas tij, qëndrojnë pranë drejtuesve të partisë për interesa personale.

“Për këta tipologjitë që lëpihen rreth kryetarëve të PD, Einstein kishte një etiketë: budallenj që punojnë vetëm për interesa personale”, tha ish-deputeti.

Ai theksoi se ndryshimi në PD nuk është më çështje zgjedhjeje, por domosdoshmëri politike.

“Ky është momenti i së vërtetës. Ose do vijojmë me rrugën që na ka çuar në humbje, ose do kemi kurajon ta ndryshojmë PD-në një herë e mirë”, u shpreh Salianji.

Më tej, ai kritikoi deklaratat e drejtuesve demokratë lidhur me zgjedhjet dhe kryeministrin Edi Rama.

“Sot nga mëngjesi në darkë lidershipi i PD na demotivon duke thënë se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Ky është dorëzim dhe ne nuk e pranojmë këtë. Rama mundet me votë dhe ne kemi fuqinë për këtë”, deklaroi ai.

Salianji shtoi se Partia Demokratike është krijuar për të fituar dhe se demokratët duhet të fokusohen te forca e tyre politike dhe morale.

“PD e ka në gen fitoren, por nuk e kemi në dorë të zgjedhim kush është kundërshtari ynë. Kemi në dorë të zgjedhim veten, të zgjedhim nëse do jemi alternativë ose justifikim”, tha ai.

Në fund, ish-deputeti deklaroi se Partia Demokratike ndodhet përballë një zgjedhjeje të rëndësishme për të ardhmen e saj.

“PD është përballë një zgjedhjeje edhe për shkak të uzurpimit të lidershipit aktual. A do të jetë PD një parti që rri pas një personi që e ka uzurpuar për interes personal? Historia është e qartë, partitë e kthyera në parti personale do të zhduken”, përfundoi Salianji.

Pjesë nga fjala e Salianjit

Ervin Salianji: PD është përpara një zgjedhje edhe mpër shkak të uzurpimit që i ka bërë lidershipi aktual. Ajo do të jetë ajo parti e besnikërisë së verbër ndaj një individi që e ka uzurpuar për interes personal, apo do të jetë një mparti që i shërben nëpërmjet fitores Shqipërisë. Sepse këto të dyja sot nuk përputhen. Një parti që humb qëllimin e pushtetit, që sakrifikon fitoren për një individ të vetëm është një parti që shkon drejt shuarjes.

Historia është e qartë, çdo parti që është khtyer në pronë personale fatkeqësisht është zhdukur. Dhe nëse nuk do të ndryshojmë ky është rreziku real që ka partia jonë.

Le ta themi pa ekuivok, Sali Berisha është lideri historik i PD, kontributet e tij në PD janë të padiskutueshme në vitet e pluralizmit, por sot ai është sa është mosha ime, është 36 vite në politikë, ai sot është i konsumuar politikisht, i izoluar ndërkombëtarisht, i paaftë për të bashkuar opozitën dhe qëndrimi i tij në krye të PD dëmton opozitën dhe ndihmon Edi Ramën duke u kthyer në “kambaleci” që e mban në pushtet Edi Ramën. Sali Berisha është barrë për opozitën dhe duhet t’i hapë krahun një brezi tjetër.

Lidershipi mbylli garën, kontrollon proceset dhe mbron interesat personale të veta. Në vend të hapjes kemi mbylljen, në vend të konkurrencës tentohet përjashtim, në vend të rregullave arbitraritet.
Pavarësisht një fushate 5-mujore në të gjithë vendin dhe mbështetjes së gjerë që kemi nga anëtarësia, ju e patë që kandidimi im u bllokua pa asnjë vendim formal, nuk u dha as e drejta minimale për të garuar sepse Sali Berisha e di siç e di e gjtihë Shqipëria që me zgjedhje unë do ta mundja, që energjia në të gjithë Shqipërinë do të ishte ndryshe, që PD do të bëhej fituese. Kjo nuk është vetëm një padrejtësi që i bëhet një individi, por deformimi i procesit për t’i shërbyer Edi Ramës.

Ai është pengesë për ndryshimin. Shkelja hapur e statutit dhe premtimeve që i ka dhënë edhe këtu në Dibër, për mosdorëheqjen pas humbjes tregon qartë mungesë përgjegjshmërie dhe refuzim të rregullave bazë mbi të cilat funksionon një parti politike. Shumë me të drejtë do të thonë atë që po them unë këtu, kur Sali Berisha nuk më mund dot mua duke patur listën, burimet financiare, mediat, regjimin, si do ta mundësh Edi Ramën o zotëri?! Se sikur të mos mjaftojnë këto, përjashton të gjithë kundërshtarët, të gjithë zërat ndryshe. Duan ta shuajnë PD-në, por ne nuk do ta lejojmë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb