Sipas tregtarëve, situata ka ardhur si pasojë e punimeve për rikonstruksionin e tregut të madh të qytetit, investim i cili ka nisur prej pak ditësh. Ata shprehen se bllokimi i hyrjes po u shkakton humbje të konsiderueshme ekonomike, pasi kanë mallra me vlerë miliona lekë që rrezikojnë të dëmtohen, ndërsa nuk mund të hapin as qepenat e bizneseve të tyre.
Ndërkohë që dyqanet që janë në treg në vendin e parë do të lejoheshin të hapeshin, por jo të dilnin mallin në rrugë, por as dyqanet nuk janë lejuar sot të hapen.
“Kam 20 vite që paguaj licencë. Na kanë mbyllur dyqanin, nuk na lënë të shkojmë të marrim as mallin jo më të punojmë”, shprehet njëri prej tyre.
Pas grumbullimit në treg, protestuesit janë zhvendosur drejt ambienteve të Bashkisë së Vlorës, ku kanë kërkuar një takim me kryetaren e Bashkisë, Brunilda Mersini. Në shenjë revolte, disa prej tyre kanë shtyrë edhe portën kryesore të institucionit.
Tregtarët kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për aksesin në bizneset e tyre, ndërsa vijojnë të qëndrojnë para Bashkisë në pritje të një reagimi nga autoritetet lokale.