Teksa në Madrid prej disa ditësh flitet lidhur me mundësinë e rikthimit të “The Special One”, të tjera zhvillime të rëndësishme kanë marrë vëmendjen e publikur madrilen.

Pas një sezoni zhgënjyes  që do të mbyllet pa trofe, drejtuesit madrilenë kanë nisur të projektojnë revolucionin për edicionin e ardhshëm. Në qendër të projektit të ri duket se do të jetë Vinícius Júnior, me presidentin Florentino Pérez që po mendon t’i besojë brazilianit shiritin e kapitenit.

Klubi madrilen kërkon një lider të ri për të rilançuar skuadrën dhe Vinícius shihet si figura ideale për të marrë më shumë përgjegjësi brenda dhe jashtë fushës. Pas viteve si protagonist në sulmin e “Los Blancos”, braziliani mund të bëhet tashmë pika kryesore e referimit në dhomat e zhveshjes së Realit.

Por vera në Madrid pritet të sjellë jo vetëm ndryshime në hierarki, por edhe lëvizje të bujshme në merkato. Një nga emrat që mund të largohet është Federico Valverde. Mesfushori uruguaian ka tërhequr interesin e Manchester United  me klubin anglez që po studion mundësinë e një oferte të rëndësishme për ta transferuar në “Old Trafford”.

Pavarësisht kontratës deri në vitin 2029, situata e tensionuar brenda skuadrës ka shtuar zërat për një largim të mundshëm të Valverdes. Mediat spanjolle raportojnë për një klimë jo të qetë në ambientin madrilen, sidomos pas përplasjes së fundit mes uruguaianit dhe Aurélien Tchouaméni në dhomat e zhveshjes.

Në Madrid pritet një verë e nxehtë, mes ndryshimeve në lidership dhe merkatos, ndërsa Reali synon të hapë një cikël të ri për t’u rikthyer sërish në majat e futbollit europian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb