Shtetasi italian Marco Romeo, i cili është dënuar me 24 vite burg për vrasjen e ish-partneres së tij Paula në Torremolinos në vitin 2023, ka pranuar për herë të parë se ka vrarë shqiptaren Sibora Gagani, në një ngjarje të ndodhur në vitin 2014. Asokohe shtetasi italian kishte një marrëdhënie me shqiptaren.
Sipas mediave spanjolle, 48-vjeçari kishte mohuar prej vitesh çdo përgjegjësi për vrasjen e Gaganit, duke pretenduar se vetëm kishte fshehur trupin e saj në banesën ku ata jetonin. Ai madje kishte akuzuar më herët autoritetet se kishin manipuluar hetimet ndaj tij.
Por në një dokument të fundit të mbrojtjes, Romeo ka ndryshuar deklaratat, duke pranuar se e ka vrarë të renë brenda apartamentit të përbashkët dhe më pas ka fshehur trupin në një mur të dyfishtë të ndërtuar në një nga dhomat e shtëpisë.
Trupi i 22-vjeçares shqiptare u zbulua nga policia pas arrestimit të tij në lidhje me vrasjen e Paula-s. Sipas hetimeve, viktima ishte gjetur e vendosur në një kuti druri, e mbuluar me gëlqere, ndërsa pranë saj ishin sekuestruar një thikë me gjurmë gjaku dhe një tufë lulesh.
Prokuroria spanjolle thotë se Romeo dhe Gagani ishin njohur në vitin 2009 në qytetin italian Nettuno, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe, ndërsa një vit më vonë çifti ishte zhvendosur në Spanjë për të jetuar së bashku në Torremolinos. Hetimet tregojnë se ngjarja ka ndodhur gjatë periudhës 7–14 korrik 2014, kur i akuzuari dyshohet se e ka sulmuar me thikë, duke i shkaktuar vdekjen pas disa goditjeve, përfshirë plagë në shpinë.
Prokuroria kërkon për të një dënim prej 22 vitesh burg për vrasje me paramendim në kuadër të dhunës gjinore dhe për fshehje të kufomës. Çështja pritet të shqyrtohet nga një juri popullore, veçmas procesit tjetër për vrasjen e Paula-s.
Ndërkohë, mbrojtja e të pandehurit e kundërshton akuzën për vrasje me paramendim, duke pretenduar se ngjarja nuk ka qenë e planifikuar, ndërsa prokuroria këmbëngul se veprimet e tij tregojnë një mënyrë të ftohtë dhe të organizuar ekzekutimi.
