Deputeti i PL, Tedi Blushi deklaroi nga foltorja e Kuvendit se korrupsioni mbetet pengesa kryesore për integrimin europian të Shqipërisë, ndërsa theksoi se vendi ka nevojë për një ndryshim të madh politik.
Sipas Blushit, qeverisja aktuale ka dështuar të përmbushë standardet demokratike dhe ekonomike që kërkon Bashkimi Europian, duke thelluar krizën e besimit te qytetarët dhe institucionet.
Tedi Blushi: Së pari më lejoni të theksoj se Partia e Lirisë, me kontribut të veçantë ndër vite në procesin e Integrimit Europian, ka qenë dhe mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për përshpejtimin e pandalshëm të këtij procesi dhe veçanërisht së fundmi, për rikthimin e vendit në shinat e standardeve demokratike Euroatlantike. Diella nuk i mbulon dot të vërtetat që shohin sot të gjithë shqiptarët dhe as propaganda e Diellës se Shqipëria është sot më pranë Europës se kurrë. E vërteta është krejt ndryshe, është kjo e vërtetë që shohin sot të gjithë shqiptarët, që e kuptojnë qartësisht se Integrimi Europian i vendit nuk është bllokuar prej tyre, nuk është bllokuar nga Opozita, por nga kjo narkoqeveri dhe modeli i saj i korruptuar dhe kriminal i sundimit.
Eurpa nuk na refuzon pse jemi shqiptarë.
Europa na refuzon kur sheh korrupsionin në çdo hallkë dhe në çdo zyrë të shtetit. Kur nuk garanton dot si Shtet liritë dhe të drejtat e njeriut. Kur e shkrin partinë me shtetin për të ndërtuar narkoshtetin dhe kur sheh se si ministrat e vendit më të varfër të kontinentit jetojnë në luks, ndërsa populli numëron lekët për bukën e gojës. Europa të refuzon kur sheh përshkallëzim të pikatës me 11 vende në raportin e “Transparency Internacional ” sa i përket indeksit kundër korrupsionit. Kur konstaton kthimin e Kuvendit në një rrobaqepësi të ligjeve me porosi për oligarkë dhe klientë të qeverisë. Kur konstaton se tenderat paracaktohen.
Kur konstaton koncensionet klienteliste dhe kur konstaton qindra e qindra miliona euro që nuk përfundojnë në shërbime, por në xhepat e Kryeministrit, Ministrave dhe klientëve të tyre.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve e tha shqip, troç dhe saktë se korrupsioni, mungesa e transparencës dhe kapja e institucioneve janë pengesë serioze për ekonominë dhe investimet në Shqipëri.
Dhe kur partnerët strategjikë flasin qartë, atëherë nuk kemi të bëjmë me perceptim, por me alarm kombëtar për mënyrën se si sot po qeveriset vendi.
Edi Rama e ka kthyer shtetin në pronë private, ministritë janë kthyer në zyra tenderash dhe qokash klienteliste.
Paratë e qytetarëve më të varfër të kontinentit janë kthyer në luks për pushtetarët dhe simboli më I qartë i kësaj arrogance është pikërisht mënyra se si menaxhohen sot sektorët strategjikë të vendit.
Dhe kur partnerët tanë shohin se si zyrtarë të lartë të qeverisë, si Belinda Balluku, nuk përmenden më vetëm në debatin e përditshëm politik, por janë kthyer sot në simbole të një pushteti që është mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi qytetarët.
Europa nuk po na pengon.
Është Edi Rama ai që po pengon Europën në Shqipëri.
Integrimi nuk bllokohet nga fjalët, integrimin e bllokon korrupsioni.
Ndaj sot Shqipëria ka më shumë nevojë se kurrë për një ndryshim të madh politik, për institucione që garantojnë votën e lirë dhe barazinë para ligjit dhe ka nevojë për shpresë.
