Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri ka hedhur dyshime ndaj projekt-rezolutës e cila u miratua me konsensus nga Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në seancën e fundit parlamentare.
I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ai e cilësoi rezolutën si “fiktive” dhe pa asnjë efekt real politik, duke akuzuar dy partitë e mëdha për marrëveshje të fshehtë dhe bashkëpunim të ngushtë politik.
Sipas tij, Partia Mundësia nuk u përfshi në diskutime dhe edhe nëse do të ishte ftuar, nuk do të kishte marrë pjesë në një proces që, sipas Kaprit, ishte i paracaktuar nga PS dhe PD.
“Rezoluta ishte fiktive për mënyrën si u bë. PS dhe PD u mblodhën bashkë dhe nuk na ftuan. Edhe po të na ftonin, nuk kishim dëshirë të bëheshim pjesë. Është aq sipërfaqësore sa nuk tregon se do të ketë ndonjë ndryshim politik”, deklaroi ai.
Kapri tha se aktualisht mes socialistëve dhe demokratëve po krijohet një “muaj mjalti politik”, që sipas tij po reflektohet edhe në negociatat për Kodin Zgjedhor dhe reformën territoriale.
“PD i dha një dorë PS-së në këtë rast. Në parim askush nuk është kundër integrimit europian, por problemi më i madh sot është çështja Balluku dhe ajo nuk u përfshi fare në rezolutë”, u shpreh ai.
Kapri ngriti pikëpyetje mbi votimin e dokumentit në kushtet kur, sipas tij, partnerët europianë kanë shprehur shqetësime për rastin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
“Duhet të ishte fjalia e parë në rezolutë heqja e imunitetit politik. Ne mendojmë se PD nuk duhet ta kishte votuar rezolutën pa u votuar më parë heqja e imunitetit të Ballukut në Parlament”, tha deputeti.
