Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri ka reaguar ashpër ndaj diskutimeve mes opozitës për Kodin e ri Zgjedhor, duke deklaruar se forca politike që ai përfaqëson nuk do të bëhet pjesë e “pazareve politike” mes Partisë Demokratike dhe mazhorancës.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Kapri komentoi dakordësinë mes PD-së dhe “Shqipëria Bëhet” për disa pika të reformës zgjedhore, duke theksuar se çdo negociatë me kryeministrin Edi Rama është në dëm të opozitës.

“Ne nuk jemi pjesë e pazareve politike. Çfarë kuptimi ka të shkosh në një tryezë dhe kreu i PD-së të bëjë pazare me Edi Ramën? Ne nuk e bëjmë këtë. Çdo pazar me Ramën është në dëm të opozitës”, deklaroi ai.

Kapri solli si shembull opozitën në Hungari, duke përmendur Peter Magyar, për të cilin tha se arriti sukses politik sepse nuk hyri në marrëveshje me ish-kryeministrin Viktor Orbán.

“Magyar fitoi në Hungari sepse nuk u ul me Orbanin. Nëse opozita e sheh gjithë problemin te sistemi zgjedhor dhe rregullat zgjedhore, kjo është varfëri politike”, u shpreh ai.

Sipas deputetit, fokusi i opozitës nuk duhet të jetë vetëm te ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por te fitimi i besimit të qytetarëve.

“Opozita duhet të fitojë votat dhe besimin e njerëzve. Çdo tentativë për ta ulur debatin vetëm te Kodi Zgjedhor është disfatizëm”, tha ai.

Ai ngriti gjithashtu dyshime se pas negociatave për reformën zgjedhore mund të fshihen marrëveshje të tjera politike, duke përmendur mundësinë e ndryshimeve kushtetuese që, sipas tij, mund të cenojnë sistemin e drejtësisë.

“Pse Rama duhet të votojë një kod që favorizon opozitën? Nuk e bën pa marrë diçka në këmbim. Po sikur të miratohet kërkesa e Ramës për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të goditur drejtësinë? Ne i rrimë larg kësaj”, deklaroi deputeti.

Në fund, ai theksoi se Partia Mundësia nuk i trembet asnjë formule zgjedhore dhe se beteja e saj do të mbetet te qytetarët.

“Ne nuk i trembemi asnjë sistemi zgjedhor. Jemi fokusuar vetëm te vota dhe besimi i shqiptarëve. Asgjë tjetër”, përfundoi ai.

Kapri zbuloi se në diskutimin me ambasadorin e OSBE, u shprehën se sistemi aktual është i keq, por ajo që PD dhe PS duan të bëjnë është edhe më i keq

“Ajo që ne i thamë ambasadorit është që sistemi aktual që ne kemi është i keq por ajo që kërkon të bëjë PD dhe PS është që duan ta bëjnë edhe më keq. Dhe ky është shqetësimi jonë dhe duket që ata janë bërë bashkë në mënyrë që të godasin alternativat e reja politike. Nuk është fjala vetëm për ne por për këdo parti që mund të vijë nesër. Dhe ne nuk bëhemi pjesë e asnjë pazari politik”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb