Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja e efektivit Anxhelo Kumaraku, ngjarje e ndodhur në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, autoritetet kanë shpallur në kërkim disa persona, mes të cilëve dyshohet se ka si autorë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje, ashtu edhe bashkëpunëtorë.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se gjatë incidentit është qëlluar me dy armë zjarri, ndërsa arma e shërbimit të efektivit të plagosur është sekuestruar dhe është dërguar për ekspertim balistik, për të verifikuar nëse është përdorur apo jo gjatë përplasjes.
Në vendngjarje grupi hetimor ka gjetur 7 gëzhoja, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Hetuesit po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
