Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton ndërtimin e një piste të posaçme helikopterësh në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, si pjesë e një serie projektesh transformuese që ka ndërmarrë që prej rikthimit në pushtet.
Lajmi është raportuar nga wall Street Journal, sipas së cilës plani lidhet me ardhjen e një modeli të ri dhe më të fuqishëm helikopteri presidencial.
Sipas raportimit, helikopteri i ri presidencial ka fuqi më të madhe se modelet aktuale dhe rrezikon të shkatërrojë barin në South Lawn, zona tradicionale ku presidentët amerikanë hipin ose zbresin nga helikopteri gjatë udhëtimeve jashtë Uashingtonit.
Për këtë arsye, administrata Trump po shqyrton krijimin e një piste të posaçme uljeje për të shmangur dëmtimin e hapësirës historike të kompleksit presidencial.
I pyetur nga agjencia AFP, zëdhënësi i presidencës amerikane, Davis Ingle, deklaroi se Trump po vijon me investime dhe ndryshime në Shtëpinë e Bardhë dhe në Uashington.
“Presidenti Trump vazhdon të bëjë përmirësime në Shtëpinë e Bardhë dhe në të gjithë qytetin e Uashingtonit, të cilat do t’u shërbejnë presidentëve të ardhshëm dhe popullit amerikan,” tha ai.
Që nga rikthimi në detyrë, Trump ka ndërmarrë një sërë projektesh ndërtimi dhe rikonstruksioni në rezidencën presidenciale.
Mes tyre përfshihen:
• dekorimi me elemente të praruara në Zyrën Ovale,
• transformimi i Kopshtit të famshëm të Trëndafilave në një hapësirë pritjeje në natyrë,
• si dhe ndërtimi i një salle gjigante vallëzimi në kompleksin presidencial.
Sipas mediave amerikane, disa nga këto ndryshime frymëzohen nga rezidenca private e Trumpit në Mar-a-Lago.
