FSHF i ka besuar drejtimin e Kombëtares shqiptare italianit Rolando Maran, i cili në moshën 62-vjeçare, do të drejtojë kuqezinjtë në Ligën e Kombeve dhe në kualifikueset e Euro 2028. Një zgjedhje e bazuar mbi trendin e viteve të fundit ku futbolli shqiptar ka qenë i ndikuar nga ai italian dhe trajnerët që vijnë nga përtej Adriatikut.
Maran, gjatë karrierës së tij në Itali, ka ndeshur shumë herë në futbollistë shqiptarë. Gjatë konferencës së prezantimit ai përmendi faktin se i kishte pasur vazhdimisht si kundërshtarë lojtarët aktualë të kuqezinjve. Por në fakt, ai edhe ka drejtuar futbollistë të cilët kanë veshur fanellën e ekipit tonë kombëtar, ndonëse nuk janë bërë protagonistë kryesorë me të.
Emri i parë që bie në sy gjatë karrierës së tij, në vitin 2014, është ai i Edgar Çanit, të cilin Maran e ka drejtuar në vitet kur ishte në pankinën e Katanias. Në etapën tjetër të Maran, atë te Kievo, nën urdhrat e tij u vendos një tjetër ish-futbollist kuqezi, sulmuesi Armando Vajushi.
Së fundmi, në etapën e tij te Breshia, në vitet 2024-2025, Maran ka pasur nën urdhra atë që dikur ishte futbollisti më i kushtueshëm kuqezi, Emanuele Ndoj, e më pas edhe pjesëtarin aktual të U21 të Shqipërisë, Zylyf Muça.
Njëkohësisht, gjatë karrierës ai ka drejtuar edhe futbollistë të tjerë shqiptarë të cilët nuk kanë veshur fanellën e kombëtares si Përparim Hetemaj, Valon Behrami apo Andrea Isufaj.
